Kaloni te përmbajtja kryesore

Sekuestrohen armë, municion e uniformë ushtarake në Zubin-Potok

Policia ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje ushtarake në një shtëpi të pa banuar në fshatin Mala Jabuka të komunës së Zubin-Potokut.

Sipas njoftimit të lëshuar të dielën, zbulimi është bërë pas pranimit të një informacioni se në objektin e braktisur mund të ndodheshin armë.

Njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë kontrollit kanë gjetur një armë të tipit AK-47, dy karikatorë të zbrazët për këtë armë, 422 fishekë të kalibrit 7.62 milimetra, 13 fishekë të kalibrit të panjohur, një fishek të kalibrit 9×19 milimetra, dy granatahedhës (tromblonë) si dhe një uniformë ushtarake me emblemë serbe.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button