Pupovci për grevën në arsim: S’mendojmë se ka arsye

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci tha se nuk e sheh të arsyeshme grevën e paralajmëruar për nesër nga SBASHK-u.
“Ne mendojmë që nuk ka asnjë arsye për grevë duke i pa arsyet dhe kërkesat në fazat që ndodhemi në zhvillimin e Ligjit për pagave dhe thjesht Ligji nuk mund të ecë më shpejt sesa që është duke ecur për shkak të kompleksitetit të tij, për shkak të kundërthënieve që ekzistojnë brenda vetë sektoreve të ndryshëm të sektorit publik, ku njerëzit kanë mendime të ndryshme se si duhet të jenë koeficientët”, tha ai.
Sipas Pupovcit, grupi punues i Projektligjit për Paga është në finalizim të draftit dhe sipas tij janë përcjellur shkresat e SBASHK-ut për koeficientë.
“Këta e kanë paralajmëruar një grevë që do të zgjasë një orë dhe thjesht konsiderojmë që përtej asaj nuk ka nevojë që të ndërmerren aktivitete të tjera sepse duhet të pritet deri sa të hartohet ligji e pastaj deri sa të diskutohet”, tha më tej Pupovci.
Zvëvendësministri i Arsimit po ashtu tha se kërkesa e SBASHK-ut prej 100 euro deri në aprovimin e Ligjit është arbitrare.
“Shtrimi i kërkesave prej 100 euro deri sa të aprovohet Ligji është  goxha arbitrar dhe s’është i bazuar në asnjë ligj dhe në asnjë praktikë tjetër, që shteti t’i japë dikujt 100 euro deri sa të aprovohet një ligj që ende nuk është aprovuar, nga ky këndvështrim konsiderojmë që kërkesat s’janë të arsyeshme dhe presim që edhe SBASHK të reflektojnë”, shtoi ai më tej.

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka njoftuar se nesër do të mbahet grevë njëorëshe në gjithë sistemin e arsimit, si shenjë pakënaqësie për mosmiratimin e Ligjit për Paga./kallxo

Back to top button