Pushteti e opozita me akuza se kush e meriton rrogën e deputetit e kush jo

Tabloja ironike e LSDM-së ku lideri opozitar Mickoski paraqitej si kujdestar klase bashkë me drejtimin e “jo punëtoreve”, dukshëm e ka lënduar VMRO-DPMNE-në, aq sa sot, që në fillim të seancën plenare, shefi i grupit parlamentar i kësaj partie, Nikolla Micevski, përgënjeshtroi se deputetët e DPMNE-së nuk marrin pjesë në seancë.
“Nëse duhet të jem i paedukatë, siç ishit ju, do të nis t’i lexoj një nga një kush nuk është këtu dhe kush nuk e meriton rrogën. Ta rikujtojmë kujdestaren Kuzeska, le t’i thotë kujdestarit të klasës se grupi juaj parlamentar nuk është i pranishëm në punë. Kjo mund të shihen nga raporti i fundit i “Deputeti im”, pohoi Micevski.
E si kundërpërgjigje për tablonë e djeshme të LSDM-së, në rrjete doli një tablo opozitare! Mban titullin “Akademia shtetërore e krimit”, ndërsa është me dy drejtime mësimore atë të “tenderueseve” dhe atë të “granteve”, ndërsa tre socialdemokratë paraqiten si absolventë.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Jovan Mitrevski mbështeti idenë e Micevskit për mbajtje evidence dhe sanksione sipas ligjit për shkurtim rrogash, por kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi u tha të mos bëjnë gjëra që nuk janë nën kompetencë të tyre.
Bllokada aktive e VMRO-DPMNE-së është në ditën e tretë. Pankartat as sot nuk mungonin në sallën e shtëpisë ligjvënëse. Deputetët opozitarë qëndrojnë në sallë, por bllokojnë duke zvarritur me kërkim fjale për çdo gjë, apo siç thonë, “për të folur për të gjitha politikat e dëmshme”.
Po Jovan Mitrevski nga LSDM thotë se opozita po dështon në përpjekjet e saj për bllokim, ndërsa shprehet i sigurt se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë.
“Zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë. Ato do të mbahen në afatin e rregullt në vitin 2024. Unë edhe një herë i thërras të gjithë deputetët e opozitës që nuk pajtohen me politikat e udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së le të marrin guxim dhe ta ndërpresin këtë që po bëjnë këto dy ditë në Kuvend sepse në fund krejt kjo që bëjnë është në dëm të qytetarëve dhe shtetit”- Jovan Mitrevski, koordinator gp LSDM
Përndryshe, Komisioni Evropian u ka apeluar partive parlamentare të vendit që të sillen me konstruktivitet, përcjell Agjencia Mediatike e Lajmeve./TV21

Back to top button