Putin: Rusia nuk është fajtore për krizën energjetike të Evropës

Rusia nuk është fajtore për krizën energjetike të Evropës, tha të mërkurën presidenti rus Vladimir Putin, duke shtuar se fajin e ka vetë Bashkimi Evropian.
“Europianët e zakonshëm po vuajnë. Këtë vit, faturat e tyre të energjisë dhe gazit janë trefishuar. Ashtu si në mesjetë, popullsia filloi të grumbullonte dru zjarri për dimër. Çfarë lidhje ka Rusia me të?”, tha Putin gjatë seancës plenare në Javën e Energjisë në Rusi.
“Ata vazhdimisht përpiqen të fajësojnë dikë tjetër për gabimet e tyre. Në këtë rast, Rusia. Ata vetë e kanë fajin. Ky nuk është rezultat i një operacioni të posaçëm ushtarak në Ukrainë, në Donbas”, tha Putin.
Putin fajësoi vendet e BE-së për marrjen e vendimeve të dobëta në sektorin e energjisë kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me Rusinë, shkruan CNN.
“Mirëqenia evropiane e dekadave të fundit bazohej kryesisht në bashkëpunimin me Rusinë. Pasojat e refuzimit të pjesshëm të mallrave nga Rusia tashmë po ndikojnë negativisht në ekonominë dhe banorët e Evropës”, ​​shtoi ai.
Putin tha gjithashtu të mërkurën se Rusia është e gatshme të fillojë furnizimet me gaz nëpërmjet një lidhjeje në tubacionin “Nord Stream 2” që mbetet funksionale, por është vendimi i BE-së nëse ata e duan atë.
Rusia ishte një furnizues kryesor i naftës dhe gazit për vendet evropiane. Lufta e Moskës në Ukrainë e ka vënë nën vëzhgim këtë mbështetje evropiane./21Media

Back to top button