Mustafa për dialogun: Nëse tani humbim hapin, rrezikojmë të fitojë Serbia

(LIVE UPDATE)
 
Mustafa për dialogun: Rrezikojmë të fitojë Serbia
Isa Mustafa foli edhe për çështjen e dialogut që tha se kjo është koha e duhur që të arrihet marrëveshja përfundimtare, duke thënë se tani Rusia është e dobët.
Sipas tij, rrezikojmë që nesër të behën ndryshime gjeopolitike atëherë siç tha ai  do ta kemi shumë më të vështirë dhe në këtë rast sipas tij, do fitoj Serbia. Ai tutje se  me kalimin e kohës opinion botërore ngadalë fillon t’i harroj krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë, ta rrisë bashkëpunimin me Serbinë.
“Duke i njohur sjelljet  e Serbisë dhe delegacionit të Serbisë dyshoj që kanë vullnet, dyshoj së pari që Serbia ka vullnet për njohjen e Pavarësisë së Kosovës sepse do ishte një hap shumë i madh për Serbinë. Në anën tjetër dyshoj se Kryeministri i Kosovës Qeveria e Kosovës, Presidentja e Kosovës që të bëjnë një marrëveshje të tillë e cila inkorporon edhe marrëveshjet e së kaluarës në dokumentin përfundimtar sepse ata kane ardhur në pushtet duke e kundërshtuar Zajetnicen siç thonin ata, sepse ju vike vështirë  në gjuhen shqipe por  e quanin atë bashkësinë e komunave serbe e titullonin në gjuhën serbe edhe sot mundohen me i mbrojt qëndrimet e tilla. Prandaj me sjelljet e tilla regjide popullsitë është e vështirë te pritet që të bëhet një marrëveshje e tillë. Mirëpo unë konsideroj se nëse tani e humbim hapin nëse këtë marrëveshje nuk e bëjmë tani kur Rusia është e dobët, kur në SHBA kemi një president dhe një presidencë që e njeh mire Kosovën dhe i përkrahë proceset në Kosovë dhe e cila është shprehur shumë pozitivisht për marrëveshjet përfundimtare  po rrezikojmë që nesër të behën ndryshime gjeopolitike at herë do ta kemi shume me vështirë dhe në këtë rast do fitoj Serbia sepse me kalimin e kohës sepse vendet e BE-së dhe opinion botërore ngadalë fillon t’i harroj krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë ta rrisë bashkëpunimin me Serbinë, ashtu siç po ndodh tani sepse ka shumë investime, interesa ekonomike evropiane interesa ekonomike e amerikane tani investimet janë përqendruar në Serbi karshi te gjitha shteteve të Ballkanit”, tha Mustafa.
Çështja e asociacionit po politizohet nga Kurti dhe Presidentja , ata po thonë të pavërteta
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa beson se çështja e asociacionit po politizohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
“Kjo çështje është politizuar pa asnjë nevojë. Është politizuar nga Lëvizja Vetëvendosje fillimisht, nga opozita e kaluar, e tani po politizohet nga presidentja dhe nga kryeministri. Thonë të pavërtetën publikisht. E pavërteta që thonë është se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar marrëveshjen, do të thotë Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se asociacioni nuk duhet të themelohet. Është e kundërta, Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj thotë se asociacioni duhet të themelohet sepse ai është bërë pjesë e rendit juridik të Kosovës. Kështu është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, mirëpo po ashtu thotë se asociacioni duhet të themelohet në bazë të marrëveshjes së parë, që është ratifikuar në Kuvend në vitin 2013 dhe statuti i këtij asociacioni  duhet t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese në shqyrtim”, tha Mustafa.
Sipas Mustafës, Kosova nuk ka asnjë arsye që tani të bëjë politikë me këtë.
“Mendoj se Kosova nuk ka asnjë arsye që tani të bëjë politikë me këtë, dhe të thirret në Zajednicë e të mundohet edhe njëherë t’i ripërtërijë të themi sulmet të cilat tingëllon të kaluarën. Mirëpo duhet të ofroj një statut asociacionit i cili i përgjigjet Kosovës, i cili është në harmoni me sugjerimet  që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese gjatë trajtimit të dokumentit të vitit 2015 dhe se garanca themelore që ky asociacion s’do të ketë fuqi ekzekutive dhe nuk do të jetë pushtet i tretë…”, tha Mustafa.
Mustafa: Do pajtohesha se kjo Qeveri ka arritur rezultate të mëdha siç thotë Kurti në qoftë se …
 Ish-kryeministri Isa Mustafa, thotë se nëse do të llogaritej propaganda në GDP-në e vendit, atëherë qeveria aktuale do të ishte më e mira që ka pasur Kosova.
“Do pajtohesha se kjo Qeveri ka arritur rezultate të mëdha ashtu siç thotë Kurti, në zhvillim ekonomik dhe fusha tjera, në qoftë se themi se rritja ekonomike në Kosovë do të shprehej për mospropagandë. Në qoftë se propaganda do të ishte element i llogaritjes së bruto produktit vendor ose GDP-së, atëherë kjo qeveri është më e mira që ka pasur Kosova”, tha Mustafa në “21 Drejtpërdrejt” të RTV21.
“Për fat të keq propaganda nuk është pjesë e GDP-së, por është eksporti e importi, shpenzimet, investimet private e investimet publike të cilat në Kosovë po ngecin sepse Qeverisë i kanë mbetur gati 1 miliardë euro në llogari, të pashfrytëzuara në kohën kur inflacioni është 20%, që do të thotë se vlera e tyre ka rënë për 200 milionë”, shtoi Mustafa.
Propozimi francezo-gjerman, Mustafa: Kjo do ishte kthim prapa
Propozimi francezo-gjerman për fazën finale të dialogut, për ish-kryeministrin Isa Mustafa, është kthim prapa.
“Do të ishte kthim prapa në qoftë se ne kalojmë tani në modelin ndërmjet dy gjermanive, sepse e kemi kapërcyer atë fazë. Çdo zgjidhje e cila nuk nënkupton që Serbia do ta pranonte pavarësinë e Kosovës në këtë pjesë, atëherë është zgjidhje e cila na rrezikon me kompromise në të ardhmen”, tha Mustafa, duke shtuar se një zgjidhje pa njohje, do të jetë një gjysmë zgjidhje.
Tutje, Mustafa tha se anëtarësimi në OKB është vështirë të garantohet, për shkak të Rusisë.
“Askush nuk mund të na garantojë neve se mund të anëtarësohemi në OKB. Në qoftë se e themi Rusia do të ketë qëndrim tjetër, sepse as Franca e Gjermania, e as Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani nuk mund të flasin në emër të Rusisë, veçmas në këtë periudhë të ftohjes së marrëdhënieve dhe masave të cilat perëndimi i ka marrë ndaj Rusisë”, tha Mustafa.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konfirmuar ekzistimin e një iniciative franko-gjermane për fazën finale të dialogut, por nuk ka zbuluar ndonjë propozim të mundshëm.
Kurti nuk ka folur konkretisht mbi planin e prezantuar nga zyrtarë të Serbisë, sipas të cilëve propozimi nënkupton lejimin e ulëses për Kosovën në OKB në këmbim të përshpejtimit të perspektivës evropiane.
Mustafa: Nëse dy herë bëjmë dialog për njohje do detyrohemi të bëjmë lëshime
I pyetur se a mendon që dialogu ka hyrë në një fazë dinamike, Mustafa tha jo.
“Unë mendoj se jo. Sikur ne të japim propozime se si ne e mendojmë marrëveshjen përfundimtare, si ne e konceptojmë atë – se cila marrëveshje përfundimtare neve na përgjigjet, e jo assesi të presim që dikush tjetër të na bie letrat e shkruara që ne pastaj të japim vërejtje e sugjerime, sepse mundësitë pastaj të ndryshimeve ose të një marrëveshjeje janë të vogla”, tha ish-kryeministri.
Mustafa tha se në qoftë se dy herë bëjmë dialog për njohje, atëherë dy herë do të detyrohemi të bëjmë lëshime, përkatësisht të ulemi në tavolinë dhe ajo gjithmonë nënkupton se dy palët duhet të bëjnë koncesione të caktuara.
“Ne mendoj se nuk duhet të lejojmë që dy herë ta bëjmë këtë, por duhet tani të përmbledhim tërë fuqinë që kemi, intelektuale dhe dijen e dialogut, dhe Qeveria ta bëjë punën e vet”, tha Mustafa.
Sipas tij, ekziston një nevojë që të kemi një pjesëmarrje më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse siç tha ai “tani po thirremi më shumë në kornizat të cilat i ka ofruar Franca dhe Gjermania, të cilat për neve janë të panjohura, përpos asaj që ka dalë në media”.
“Pa një angazhim të fuqishëm të SHBA-së, marrëveshje përfundimtare në interes të Kosovës, por edhe në interes të paqes në këtë pjesë, dyshoj se mund të arrihet”, tha Mustafa.
Mustafa: Frika nga emigrimi nuk është arsyeja për mosliberalizimin e vizave, kjo nuk do të ndodh në Kosovë
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se frika nga emigrimi nuk është arsyeja për mosliberalizimin e vizave.
Ai në “21 DrejtpërDrejt” të RTV21, tha se kjo nuk do të ndodh në Kosovë.
“Arsye themelore ka qenë që disa vende siç janë Franca, Holanda e ndoshta edhe ndonjë vend tjetër, kanë nguruar për arsye të frikës së tyre nga shpërngulja e njerëzve, me rastin e liberalizimit të vizave. Mendoj se ajo nuk mund të ndodhë në Kosovë sepse nuk ka ndodhur as në vendet tjera, përkatësisht po ndodh edhe në vendet që janë anëtare të Bashkimit Evropian siç është Kroacia, Bullgaria e Rumania. Por po ndodh si disa lëvizje të cilat janë lëvizje të arsyeshme tani të integrimeve edhe të relacioneve të lëvizjes së popullatës në Evropë”, tha Mustafa.
Mustafa për liberalizimin e vizave: Nuk mund të them asgjë për shkak të përvojave të idhëta
Isa Mustafa në një intervistë në “21 Drejtpërdrejt” në RTV21 është shprehur se liberalizimi i vizave duhet të ndodh këtë herë, por ai shtoi se nuk mund të thotë të thotë asgjë me siguri për shkak të përvojave siç tha ai të “idhëta” në 5 vitet e fundit.
“Unë mendoj se liberalizimi duhet të ndodh, për arsye se i kemi plotësuar të gjitha kushtet. Ato 95 kushtet që kanë qenë për Kosovë, përfundimisht janë plotësuar në vitin 2018 dhe çdo zvarritje nga viti 2018 ka qenë i paarsyeshëm. Ne kemi pasur disa informata dhe në vitin 2016 kur na  lutshin që të ratifikojmë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe të bëjnë liberalizimin e vizave, se në qoftë se ky proces prolongohet atëherë do të kemi probleme me disa vende të Bashkimit Evropianë për arsye të brendshme të tyre, qoftë për arsye të ndikimit të djathtëve qoftë të majtëve në Qeveritë e tyre, dhe kjo po ndodhë tani. Unë mendoj që liberalizimi duhet të bëhet sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sepse kemi mbetur vendi i vetëm në Evropë pa liri të lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian edhe në zonën shegën. Mirëpo, nuk mund të them asgjë për arsye të përvojave të idhëta që i kemi gjatë këtyre 5-6 viteve, që nga viti 2016 e këndej përkatësisht nga viti 2018 kur edhe është bërë ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi”, tha Musatafa./21Media

Back to top button