Qarkullimi në kufirin Kosovë-Shqipëri do të bëhet pa ndalesë

Para sezonës së verës qarkullimi mes Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet pa ndalesë në kufi.
Kështu u bë e ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi në mbledhjen e përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Lehtësira për qarkullim është bërë edhe për festën e 28 Nëntorit.
“Nuk do të presim sezonin e verës për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve sidomos në pikën kufitare të kalimit të dy vendeve tona. Kemi rënë dakord me ministrin e Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë vetë çdo gjë sa i takon identitetit të takimesh nëpërmjet të leximit të targave dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pas nevojë që të ndalohet fare në kufi. Kjo është një përpjekje që të dy bashkë e kemi ndërmarr kemi bërë edhe planin e punë dhe mendojmë që do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezonit. Ndërsa sa i takon flukseve tjera që do të jenë të mëdha dhe jo të zakonshme përpara sezonit përfshirë këtu edhe festën kombëtare ku lëvizja do të jetë me një fluks të shtuar kemi dhënë porosi që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë të qarkullimit të shtetaseve në periudhën e fundjavës së gjatë që krijon festa kombëtare 28 nëntori. Besoj që jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar tashmë një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar që ne jemi dy shtet të ndryshme”, tregoi ministri Çuçi.
Të dyja shtetet kanë bërë marrëveshjen për leje qëndrim, ku tash e tutje qytetarët për të jetuar në të dyja anët e kufirit të shqiptarisë mjafton të plotësojnë një formular, të kenë një mjet identifikimi dhe të deklarojnë një adresë të përshtatshme dhe menjëherë pa asnjë procedurë shtesë mund të merret leja pesë vjeçare. E rëndësishme në këtë pikë është vlerësuar edhe fakti që kjo leje qëndrimi unifikon dhe është e njehsuar me leje të punës.
Marrëveshje tjetër e dy ministrive të punëve të Brendshme është edhe lëvizja e lirë e banorëve përgjatë tërë vijës kufitare mes dy vendeve në brendësi të territorit deri në 30 kilometra në secilën anë si dhe marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët në Shtavec-Krushevc dhe për pjesën që ka të bëjë se çka duhet të presin nga ju të dy.
Në mbledhjen e dy qeverive, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se marrëveshjet e arritura mes dy ministrive do të kenë ndikim jo vetëm në aspektin juridik por edhe në atë politik, ekonomik, historik e kulturor.
“Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës që nga fillimi i kohës sonë e ka pas nga prioritet e saj zhvillimin dhe ngritjen e bashkëpunimit ndërshtetërore me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Ne sjellim tri marrëveshje bilaterale të rëndësishme jo vetëm në aspektin juridik por edhe në atë politik, ekonomik, historik e kulturor mes dy shteteve tona. Këto marrëveshje janë në harmoni me legjislacionin e të dy shteteve dhe të BE-së. Këto marrëveshje vijnë si përgjigje e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve”, tha Sveçla.

Back to top button