Qerimi disa herë ishte ankuar te Avokati Popullit! Ziberi: Për zvarritjen e rastit “Alfa” mund të jap vetëm rekomandime

I ndjeri Rexhail Qerimi, i dënuar për rastin “Alfa” dy herë në 2020-tën i ishte ankuar Avokatit të Popullit për procesin gjyqësor, ndërsa një herë në 2015-tën ishte ankuar vëllau i tij Jetullah Qerimi, për gjendjen e rënduar shëndetësore të Qerimit.

“Është konstatuar se i është ofruar ndihma fillestare shëndetësore në burg, ndërsa më pas është drejtuar në kontrolle klinike, është konstatuar parezë faciale. Por specialisti që ka kryer kontrolle ka vlerësuar se nuk ka nevojë për kurim spitalor, edhe pse i dënuari kishte kërkuar që të trajtohet në spital, është kthyer në burg për tu trajtuar me terapi. Ne atëherë e kemi vizituar dhe kemi dhënë rekomandime që edhe njëherë të rishqyrtohet mendimi i specialistit sepse gjendja sipas paramendimin tonë laik nuk ka qenë mirë”, tha Naser Ziberi, avokat i Popullit.
Për zvarritjet e procesit gjyqësor dhe mos respektimit të Ligjit për procedurë penale, Ziberi tha se këtu, institucioni Avokat i Popullit nuk ka kompetenca, e gjitha ajo që mund të bëjë është të rekomandime për masa disiplinore ndaj gjykatësve që zvarrisin procedurat.
“Gjykimi në afatin optimal siç thashë edhe pak më parë është një nga principet themelore të procedurës penale. Ne vetëm mund të rekomandojmë respektim të principit, por gjithashtu mund t’i rekomandojmë Këshillit Gjyqësor Republikan, në rastet se kur hetohet se nuk ka gjykim në afatin e paraparë ligjor të ndërmerren masa adekuate disiplinore ndaj gjykatësve që bëjnë shkeljen e këtij parimi sepse pasojat ndonjëherë mund të jenë fatale”, pohoi Ziberi.
Sot, Rexhail Qerimit iu dha lamtumira e fundit. Ai u varros në fshatin e lindjes, Opajë të Likovës. Pas vdekjes së tij, avokati i popullit njoftoi se ekipe të këtij institucioni tashmë kanë ndërmarrë veprime dhe është hapur lëndë. Është dërguar ekip në burgun e Idriziovës për të kontrolluar hapësirat, ku Qerimi ka vuajtur dënimin. Është kontrolluar edhe vendi ku është rrëzuar Qerimi në momentin që i është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Janë kontrolluar kamerat e sigurisë për të parë ecurinë e situatës, raporton TV21./21Media

Back to top button