Qerkini: Në shtator të 2025-tës mund ta kemi një verdikt për ish-krerët e UÇK-së

Duke folur për ecurinë e procesit gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Artan Qerkini thotë se në shtator të vitit të ardhshëm mund të ketë një vendim të shkallës së parë për këtë rast. Ai shprehet optimist për një aktgjykim lirues ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Qerkini tha për RTV21 se presioni pozitiv ndaj Gjykatës Speciale ka ndikuar që të ky proces të zhvillohet më shpejtë.
“ Nëse vazhdohet me këtë dinamikë besoj e në shtatorin e vitit të ardhshëm mund të kemi një verdikt të shkallës së parë mirëpo kjo në masë të madhe do të varet nëse mbrojtja do te propozojë prova apo dëgjimin e dëshmitarëve, varësisht nga numri i dëshmitarëve që propozon mbrojtja mund të ndikojë në shtyrjen e afatit. Marrë parasysh faktin që lënda është shumë voluminoze njëra palë do të shkojë në apel po shpresojmë prokuroria …nëse do të ketë aktgjykim lirues do të ndërpritet paraburgimi. Natyrisht që në bazë të provave që janë administruar deri me tani s’është arritur të provohet fajësia dhe natyrisht pritet një aktgjykim lirues por mbetet të shihet çfarë do të vendos gjykata”, tha ai për rtv21
Kryetarja e Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova një ditë më parë në konferencë për media tha se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.
Ajo bëri të ditur se në prill të vitit të ardhshëm pritet të përfundojë çështja e prokurorisë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve dhe t’i hapet rruga çështjes së mbrojtjes./RTV21/21Media