Qeveria deklarohet pas takimit të Kurtit me Haradinajn
Lajm i përditësuar
Qeveria e Kosovës përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sipas njoftimit në takim ku ishte i pranishëm edhe zëvendës-kryeministri i parë, Besnik Bislimi, u diskutua për procesin e dialogut, idetë, modelet dhe opsionet për elementet kryesore të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat po qarkullojnë nga e nëpër kancelaritë perëndimore e demokratike, e që në këtë periudhë funksionojnë si sprova dhe testime.
Haradinaj: Marrevshja finale me Serbinë duhet ta ketë vulën e Amerikës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se marrëveshja finale në kuadër të dialogut me Serbinë duhet ta ketë vulën e Amerikës.
“Nuk mund të konsiderohet i sigurtë edhe pa nënshkrimin dhe vulën e Amerikës, e duhur do të duhej të ishte që të ndodhë edhe në Washington”, tha ai.
Haradinaj para mediave mohoi se ky subjekt politik do të përfshihet në qeverisje për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë, duke thënë se gjasat janë zero.
Ai po ashtu mohoi se do të ketë agjenda të tjera zgjedhore e as qeverisëse.
“Me rëndësi është si Kosovë që një proces që është shumë i gjatë, një proces për të cilin edhe kemi vdekë, shtetësia e Kosovës pra jemi fliju e që ta marim sa ma seriozisht vendimet e dialogut nuk janë vendime që i ndryshon dikush pastaj, të jemi sa më serioz në këtë proces e pasë parasysh faktin edhe shkallën e seriozitetit të akterëve ndërkombëtarë. Pra, duke pasur parasysh sa serioz është Washingtoni, sa serioz është Berlini, Londra, Parisi ne do ta marrim shumë serioz këtë proces, do të punojmë që Kosova të del e suksesshme pra nuk bëhet fjalë për agjenda të tjera zgjedhore as qeverisëse por bëhet fjalë për fatin tonë të fëmijëve tonë, brezave“, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se subjekti i tij është çdo herë i gatshëm ta ndihmojë Kosovën, e jo Albin Kurtin.
“Ne jetojmë sot me obligimet që i ka marrë Kosova në dialog, nuk mund të ikim nga ato obligime sikur që e shihni edhe në këtë drejtim Aleanca nuk do të kursejë asgjë atë qe dijmë atë që mundemi do të jemi çdo herë ta ndihmojmë Kosovën, jo Albin Kurti, jo qeverinë se ka pasë qeveri para Albin Kurtit, do të ketë edhe tjera po Kosova do të jetë vetëm një ”, tha ai.
Haradinaj deklarohet pas takimit me Kurtin
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u deklarua për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.
Haradinaj tha se temë kryesore në këtë takim ishte marrëveshja përfundimtare me Serbinë, marrëveshja për njohje reciproke.
“Diskutuam marrëveshjen, i diskutuam sfidat që i ka Kosova në këtë proces, pra ishte një takim mund të them me përmbajtje”, tha Haradinaj.
Haradinaj shkon në Qeveri për të takuar Kurtin
Qeveria e Kosovës sot ka një vizitor, që vite më parë ishte shef aty.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkoi në vendin ku punoi më parë, për të takuar kryeministrin aktual, Albin Kurti.
Kryeministri i ka ftuar opozitën që të takohen të premten për të diskutuar për çështjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por jo të gjithë do të marrin pjesë. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk do të marrin pjesë, pasi sipas tyre, Kuvendi i Kosovës është vendi ku Kurti mund të diskutojë me ta./21Media