Përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve e njoftuan Kryeministrin për çmimin e derivateve dhe pengesat administrative dhe ligjore

Përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve e njoftuan Kryeministrin për çmimin e derivateve dhe pengesat administrative dhe ligjore

 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, të kryesuar nga Fadil Berjani, me ç’rast ka shprehur interesimin institucional për çmimin e derivateve në tregun e naftës, duke u bërë thirrje naftëtarëve të kenë kujdes karshi qytetarëve.

“Duke respektuar gjithmonë ekonominë e lirë të tregut, sot ju bëjë thirrje që të tregoni kujdes karshi çmimit në treg, duke respektuar edhe qytetarët”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e Kosovës do të angazhohet që të krijojë një infrastrukturë të mirë ligjore dhe administrative, të cilat më pastaj do të ndikojnë edhe në uljen e çmimeve në tregun e naftës dhe derivateve të saj.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, siç bëhet e ditur në komunikatën e Qeverisë , e njoftuan Kryeministrin Haradinaj për sfidat që ka kjo shoqatë, por edhe për çmimin e derivateve, duke numëruar edhe pengesat administrative dhe ligjore me të cilat përballet ky treg, siç janë mungesa e ligjit për naftën, mungesa e depove doganore dhe taksa për kyçje në rrugë, pengesa këto që ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin e tregut.

“Në këtë takim, po ashtu u bisedua edhe për masat e marra për taksën 100%, e cila ka gjetur mbështetjen e fuqishme të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës”, bëhet e ditur në komunikatë./21Media