“Uniteti ka rezultuar gjithnjë me fitore për Kosovën”

Sipas Veselit, Kosova është gati për fazën e dialogut final me Serbinë

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në hapje të takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe anëtarët e delegacionit shtetëror tha se Republika e Kosovës është gati për fazën e dialogut final me Serbinë dhe siç tha ai, “bashkë me aleatët tanë perëndimorë do të dalim triumfues, duke siguruar njohjen e pavarësisë nga Serbia, ulësen në OKB dhe përshpejtimin në integrimet euro atlantike”.

Kreu i Kuvendit si nikoqir i takimit, ku bëri bashkë të gjithë krerët institucionalë dhe ekipin negociator i informoi partnerët ndërkombëtarë nga vendet anëtare të QUINT-it se shteti i Kosovës ka arritur unitetin për procesin final të dialogut dhe në këtë proces ai tha se presin edhe mbështetjen e pakursyer nga vendet partnere, njësoj sikur në gjitha proceset që ka kaluar Kosova.

“Kosova deri tani që nga koha e luftës ka bashkë-udhëtuar me aleatët e saj perëndimor nëpër çdo proces të rëndësishëm. E kaluara na ka treguar që ky bashkë-udhëtim, dhe uniteti i spektrit politik në çështje të mëdha ka rezultuar gjithnjë me fitore për Kosovën. Andaj unë sot kam vetëm një mesazh të qartë, ne jemi gati dhe në jemi bashkë”, tha Veseli.

Në këtë takim po merr pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’connell si dhe ambasadorët e vendeve tjera dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Edhe pse ishin të ftuar që të jenë të pranishëm në këtë takim me partnerët perëndimorë, sërish munguan përfaqësuesit e LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Back to top button