BE-ja i përgjigjet Qeverisë: I dimë detyrat tona

Qeveria i është përgjigjur paralajmërimeve të BE-së se e mbyllja e bankave postare serbe në veri të vendit do të përfshihet në raportin për çështjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Në Qeveri thonë se padrejtësisht është akuzuar Kosova për eskalim të situatës në veri në bazë të së cilit ishin vendosur ato masa. Qeveria kërkon nga BE-ja që në raportin e tyre të konstatojnë se janë përmbushur të gjitha kushtet për heqjen e masave dhe të mos tentohet të shtrembërohen zhvillimet në terren.
Qeveria ka ashpërsuar gjuhën ndaj Bashkimit Evropian i cili po vazhdon t’i mbajë në fuqi sanksionet ndaj Kosovës.
Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, në një përgjigje për rtv21 konstatoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe, sic tha, çdo konstatim ndryshe do të ishte i padrejtë.
“Situata në terren për të cilën padrejtësisht u akuzua Kosova për eskalim, tashmë ka muaj që është deeskaluar. Mbetemi në pritje të raportit të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në të cilin duhet të konstatohet përmbushja e obligimeve të marra nga autoritetet tona. Çfarëdo konstatimi i ndryshëm do të ishte i padrejtë, do të përbënte shtrembërim të zhvillimeve në terren dhe domosdoshmërisht keqpërdorim të njëanshëm dhe të pakuptimtë të masave nga ana e KE”, tha Kadiu për rtv21.
Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit Peter Stano iu përgjigj kritikave dhe sugjerimeve të Qeverisë për heqjen e masave ndaj Kosovës.
“BE-ja i di detyrat e veta, përqendrohet në to dhe i kryen punët e saj. Edhe këta njerëz duhet të bëjnë të njëjtën”, tha ai.
Pavarësisht se Bashkimi Evropian përmes një përgjigje për rtv2121 ka dhënë sinjal se është i gatshëm për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, por varet prej hapave që do të ndërmerr Qeveria në shtensionimin e situatës në veri të vendit, siç bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, shefi i politikës së jashtme, Josep Borrell, do ta përfshijë në raportin e tij edhe operacionet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e objekteve të bankës kursimore serbe në veri.
Këshilltari i Besnik Bislimit Klisman Kadiu vlerësoi se në veri të vendit është kthyer normaliteti dhe, siç tha, heqja e masave është duke u vonuar.
“Veriu i është rikthyer normalitetit e çdo ditë po punohet në integrimin e komunitetit serb, përtej tentativave dhe qasjes destabilizuese të fqinjit tonë verior. Heqja e masave e cila është tejet e vonuar, nuk duhet të shtyhet për më tej në dritën edhe të zgjedhjeve të ardhshme në institucionet e Bashkimit Evropian. Ripërsërisim thirrjen për heqjen e tyre sa më parë”, tha Kadiu.
Përplasjert e Qeverisë me faktorin ndërkombëtar janë duke i shkaktuar telashe Kosovës në aspektin integrues. Anëtarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku, tha se si shkak i keqqeverisjes së Kurtit Kosova po i vuan pasojat e sanksioneve.
“Ato masa nuk është dashur të vendosen fare. Por kjo keqqeverisje ka arrit që duke acaruar raportet dhe duke mos u koordinuar me BE-në dhe me SHBA-në kemi ardhë në këtë situatë që Kosovës i janë vendosur sanksione. Ne e kemi përkrahur Qeverinë për veprimet në veri me kushtin që kryeministri të koordinohet me aleatët e Kosovës”, tha Bunjku.
Anëtari tjetër i Komisionit parlamentar të Ekonomisë nga AAK-ja, Pal Lekaj, vlerëson se Kosova dita- ditës është duke u larguar nga agjendat ndërkombëtare për shkak të veprimeve dhe përplasjeve që ka Qeveria me faktorin ndërkombëtar. Krejt kjo, siç tha, po bie në kurriz të qytetarëve.
“Masat kanë ardhë për mos koordinim dhe po shihet që po vazhdon avazi i vjetër i kryeministrit Kurti dhe po pësojnë qytetarët e Kosovës duke u larguar edhe nga agjendat ndërkombëtare. Nuk ka kuptim që ne të kemi masa prej atyre që na kanë ndihmuar që të kemi shtetin dhe të ndërtojmë institucionet”, tha Lekaj.
Që nga vendosja e masave ndëshkuese vlerësohet se Kosova ka humbur mbi 500 milionë euro duke përfshirë edhe pezullimin e disa projekteve të BE-së./21Media