Qeveria e Kosovës e vendosur: Njëherë të hiqen barrikadat, pastaj shtyhen vendimet

Konferencën për media, të cilën e ftoi për të dhënë detaje për situatën ne veri të Kosovës, kryeministri Albin Kurti, e filloi me një kërkesë për mediat në vend.
“Ju lutemi të gjithë punonjësve të mediave, që  njoftimet që vijnë nga mediat e Beogradit dhe Moskës, të mos i përhapin si lajme e fakte në mënyrë jokritike. Meqë bëhet fjalë për shtete autoriale pa liri të medias”, tha Kurti.
Më pas ai falënderoi Policinë e Kosovës, posaçërisht zyrtarët që janë duke vepruar në veri të vendit.
“Angazhimi i tyre është siguria jonë”, tha Kurti, shkruan rtv21.tv
Kryeministri tha tutje se pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ende janë të mbyllura, sepse janë të bllokuara rrugët që shpien atje.
Ndërsa në pikat tjera kufitare, Kurti tha se po lëshohet dokumenti i hyrje-daljes për qytetarët që vijnë nga Serbia, me validitet 90 ditorë.
Deri në orën 12:00, gjithsej 1 mijë e 501 qytetarë janë pajisur me këtë dokument në vendkalimet kufitare, për siç u shpreh kryeministri, duke pritur mesatarisht 20 sekonda për këtë.
Kryeministri e përsëriti zotimin e Qeverisë se në momentin kur të hiqen barrikadat, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë.
“Janë gjithsej nëntë barrikada, presim që gjatë ditës së sotme të hiqen që të gjitha”, theksoi Kurti./21Media

Back to top button