“Qeveria e përkushtuar për de-esklaim në veri”

Kosova vazhdon të jetë nën trysninë e faktorit ndërkombëtar për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejtë në pjesën veriore. Pas tërheqjes së 50% të pranisë së Policisë nga objektet komunale në veri të vendit, Qeveria thotë se po punon në shtendosjen e situatës.

“Ne mbesim të përkushtuar për de-eskalim të plotë të situatës në veri, vigjilent ndaj çfarëdo potenciali për ri-eskalim, dhe besnik ndaj ligjshmërisë dhe kushtetutshmëri”.

Por, njohësi i sigurisë, Avni Islami, thotë se Qeveria ishte nën presion për tërheqjen e Policisë nga objektet komunale në veri të vendit, megjithëse ka vlerësuar se rëndësia e policisë nuk mund të zbehet pavarësisht vendimeve politike.

‘’Policia është në rendin e parë të detyrës, pastaj në asistencë janë EULEX-i dhe KFOR-i. Me vendim politik është qetësuar situata në veri. Në të ardhmen mund të ketë zvogëlim të numrit të Policisë por assesi tërheqje të Policisë nga veriu. Serbet lokal janë qetësuar me urdhër të Vuçiqiq. Kjo është mënyra më e mirë për de-përshkallëzim. Kemi parë se me një vendim nga Beogradit është forcë e Vuciqiq që po i keqpërdor strukturat e veta të sigurisë në veri për tensione’’.

Më tërheqjen e Policisë së Kosovës nga komunat veriore automatikisht i bie që të ketë shtim të trupave të KFOR-it dhe EULEX-it, thotë njohësi i rrethanave politike Arbnor Sadiku. Sipas tij, kjo nënkupton tërheqje nga shtrirja e sovranitetit.

‘’Kjo mund të jetë tërheqje e atij sovranitetit të paralajmëruar më parë nga institucionet e Kosovës në kuptimin e shtrirjes së tërësishme. Me këtë marrëveshje i hapët mundësia që për veriun të vendoset në negociatat e Brukselit”.

Pas vendimit për tërheqje e 50% të Policisë në dhe rreth komunave në veri të vendit si përmbushje e marrëveshjes së Bratislavës midis Kosovës dhe BE-së, Qeveria i ka kërkuar Bashkimit Evropian heqjen e masave ndëshkuese.

“Në vazhdimësi e kemi theksuar qe masat ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe që tashmë duhen hequr. Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe mbetet e përkushtuar për de-eskalim, të cilën e dëshmoi dhe marrëveshja ne Bratislavë dhe implementimi në hapat e saj nga ana e Kosovës”.

Ka dy arsye sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku që BE-ja nuk po i tërheq masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

‘’Institucionet e BE-së në muajin gusht janë në pushim. Por, as Qeveria nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret e BE-së”.

Bashkimi Evropian ende nuk i është përgjigjur kërkesës së Qeverisë për tërheqjen e masave ndëshkuese. Por, për RTV21 zyrtar të BE-së kanë kërkuar nga Qeveria informacione në lidhje me nismën që përmes peticionit të mbahen zgjedhjet në katër komunat në veri si njëri nga tre kushtet e BE-së për uljen e tensioneve./21Media

Back to top button