Qeveria e Sindikatat nuk pajtohen, paga minimale do të vazhdojë të jetë 170 euro

Ministri i Financave, Hekuran Hekuran Murati sot ka njoftuar se paga minimale do të vazhdojë të jetë 170 euro.
Ai për këtë fajësoi Sindikatat se nuk votuan propozimin e Qeverisë, që paga minimale të bëhet 264 euro.
“Megjithatë, ne si qeveri propozuam që paga minimale të jetë 264 euro/muaj, apo 1.5 euro/orë, që është në vijë edhe me premtimet tona për pagë minimale dhe për lirimin e saj nga tatimi. Megjithatë, propozimi nuk morri votat e nevojshme sepse përfaqësuesit e sindikatave nuk e mbështetën.”, shkroi Murati në Facebook dhe bëri të ditur se kjo temë u diskutua në takimin e Këshillit Ekonomik Social, ku pikë e rendit të ditës ishte miratimi i propozimit për pagën minimale.
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat ka kohë që ka bërë të ditur qëndrimin e saj se nuk pajtohet me asnjë pagë minimale nën 400 euro.
“Nuk guxoj të them se cili do të jetë propozimi i kryeministrit për pagën minimale. Njëherë pati thënë 350 euro e më pas 250. Ne nuk duam të flasim se për cilën shumë e ka fjalën. Ne bëjmë me dije që nëse duhet biseduar për pagën minimale duhet me përfaqësuesit e sektorit privat dhe jo të tjerët. Neve nuk na pajton çfarëdo page që është nën 400 euro edhe pse kjo pagë është shumë e vogël”, ka thënë Jusuf Azemi, kryetar i SPSK-së në një konferencë për media ditë më parë.
Ndërsa, Murati nuk e arsyetoi qëndrimin e Sindikatës dhe tha se krejt çka arrihet me mosvotimin e vendimit të Qeverisë është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro.
“Kundërshtimi nga ana e sindikatave nuk ka kuptim dhe nuk mund të spjegohet meqenëse asnjë nga punëtorët që ata përfaqësojnë nuk preket nga paga minimale, për shkak se pagat e tyre janë dukshëm mbi nivelin e pagës minimale. Krejt çka arrihet me këtë mos-votim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro.”, shtoi tutje Murati./21Media

Back to top button