“Qeveria është bërë fabrikë e prodhimit të kripës, na kripën”

Partia Socialdemokrate(PSD) ka organizuar një aktivitet simbolik në shenjë proteste para Qeverisë së Kosovës kundër rritjes së çmimeve dhe mungesës, siç thonë ata, të “aktivizimit të mekanizmave shtetërore”.
Në këtë aksion, aktivistët kanë sjellë disa thasë me kripë para derës së Zyrës së Kryeministrit.
Nol Nushi nga PSD theksoi se kanë zgjedhur sloganin “Na kripët”, pasi mendon se Qeveria i ka “kripur” qytetarët.
“Një rritje enorme të pothuajse secilit produkt ushqimor të shportës së konsumatorit. Jeta ka filluar me u bërë shumë e shtrenjtë, mirëpo paralel me këtë jemi dëshmitar të mungesës së aktivizimit të mekanizmave shtetëror. Kemi parë që qeveria dhe institucionet tjera përgjegjëse, përballe kësaj krize kanë zgjedhur të heshtin, të mos bëjnë asgjë, dhe të gjejnë vetëm fajtor dhe asnjë zgjidhje deri më tash”, tha ai.

Ai gjithashtu ironizoi edhe me deklaratën e Kurtit që “qytetarët të cilët kanë blerë miell tepër ta kthejnë në furra”.
“Prandaj, siç dha direktiva Kurti, që qytetarët ta kthejnë në furra miellin e blerë me tepricë, edhe ne sot i dërguam kripën që Kurti e ka shpërndarë deri tash”, ka thënë PSD-ja.
PSD i bëri thirrje Qeverisë për të vepruar sa më parë ndaj ngritjes së çmimeve, në të kundërtën paralajmëron një kundërshtim popullor./21Media

Back to top button