Qeveria italiane miratoi reformën në drejtësi

Qeveria italiane dha sot miratimin përfundimtar për një reformë të gjerë të sistemit të drejtësisë, e nevojshme për të ruajtur fluksin e fondeve nga Bashkimi Evropian, njoftoi Ministria italiane e Drejtësisë.
Kjo reformë ishte një nga më të diskutueshmet në mandatin e kryeministrit Mario Draghi dhe qëllimi i saj kryesor ishte përshpejtimi i proceseve gjyqësore jashtëzakonisht të ngadalta në Itali, të cilat demotivojnë investitorët e huaj dhe pengojnë rritjen ekonomike.
Komisioni Evropian e kushtëzoi një pjesë të fondeve të destinuara për Italinë nga fondi i BE-së në vlerë 200 miliardë euro për rikuperimin nga pandemia, me kërkesën për uljen e kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore 25 për qind në çështje penale dhe me 40 për qind në gjykatat civile brenda një periudhe pesëvjeçare.
Reforma duhej të hynte në fuqi deri në fund të këtij viti për të çliruar paratë e BE-së të destinuara për Italinë dhe kjo është pjesë e detyrimeve me të cilat mund të përballet kryeministri Draghi deri në emërimin e qeverisë të re, ku pas zgjedhjeve të 25 shtatorit duket se do të formohet një koalicion i partive të djathta.

Back to top button