Qeveria kritikohet ashpër për qasje jo të duhur ndaj gazetarëve

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, regresi që ka shënuar Kosova në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, duke rënë për 19 vende, nga pozita 56 në 75, po konsiderohet gjendje shqetësuese dhe alarmante për mediat në vendin tonë.

Qasja jo e duhur e qeverisë ndaj mediave në Kosovë, po vlerësohet të jetë ndër shkaktarët kryesor për këtë rënie në renditje. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media, në diskutimin e mbajtur për sfidat e ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit, theksuan se qeveria duhet të bëjë veprime konkrete në përmirësimin e situatës aktuale.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha tha se rënia për 19 pozita e Kosovës në raportin e Reporterëve Pa Kufij, duhet të jetë alarm për Qeverinë e Kosovës.

Rexha potencoi se siguria e gazetarëve ka qenë dhe vazhdon të mbetet një shqetësim, derisa përmendi se vetëm gjatë vitit të kaluar janë shënuar rreth 30 sulme brenda pak javësh në veriun e Kosovës.

Sipas tij, përmirësimi i kësaj situate është absolutisht në dorë të qeverisë, për çka bëri thirrje që ligji i ri i KPM-së, të mos dërgohet në miratim përfundimtar.

“Mëngjesi i sotëm ka nisur me një raport të Reporterëve Pa Kufij, që në vitet e fundit shënon regresin më të madh të lirisë së mediave në Kosovë, me rënien e vendit tonë në renditjen global për 19 pozita. Kjo renditje mund të mos jetë befasi për komitetin e gazetarëve dhe mediave në Kosovë për shkak të asaj që kemi përjetuar në vitet e fundit por, duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në format e ndryshme në këtë dhe këtu më së shumti e kam fjalën për institucionet e Kosovës dhe veçanërisht për Qeverinë e Kosovës…Siguria e gazetarëve sigurisht ka qenë një shqetësim vitin e kaluar, ka vazhduar të jetë edhe këtë vit. Ne kemi marrë vitin e kaluar 30 sulme brenda 5 jave në veriun e Kosovës duke përfshirë sulme fizike, dëmtimin të pronave dhe mjeteve të punës së gazetarëve, duke cenuar integritetit fizik të gazetarëve si asnjëherë më parë…Është absolutisht në dorë të qeverisë që ta përmirësojë këtë renditje mes tjerash për shembull duke mos i çuar në miratim përfundimtar ligjin e ri të KPM-së, por duke u angazhuar në një bashkëbisedim serioz dhe gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara me shoqërinë civile”, tha Rexha.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michal Davenport potencoi se gjatë 12 muajve të fundit ka pasur rritje të dhunës drejt gazetarëve.

Ai tha se fokusimi i OSBE-së ka të bëjë me konsolidimin e aftësive të gazetarëve, redaktorëve dhe mediave në përgjithësi, duke përfshirë edhe fokusimin në promovimin dhe integritetin e standardeve etike.

“Raporti i reporterëve pa kufi e ka vendosur Kosovën në vendin e 75, e cila ka shënuar një rënie nga vendi i 26 që ishte vitin e kaluar. Dhe nuk ka dyshim që gjatë 12 muajve të fundit kemi pasur rritje të dhunës drejt gazetarëve. 74 raste janë shënuar nëse e mbaj mend si kërcënime fizike, sulme fizike dhe targetimi i gazetarëve…OSCE-ja ka zhvilluar me zhvillim të drejtpërdrejt, duke përshirë edhe institucionet e themeluara dhe është e përfshirë në një rol mbështetës dhe këshillues. Ne fokusohemi në atë se çfarë bëjmë në konsolidimin e aftësive të tyre, të gazetarëve, editorëve dhe të tjerë.si dhe fokusimi i promovimit, integritetit dhe standardeve etike. Mirëpo, siç e kemi parë nga lajmet e këtij mëngjesi, nuk mund që të pushojmë së vepruari në këtë drejtim”, tha Davenport.

Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë, Imer Mushkolaj tha se përpjekja e qeverisë për ta zvogëluar besimin e mediave në publik, ka ndikuar në vështirësimin e punës së gazetarëve. Ai tha se qasja jo e duhur e qeverisë, ka bërë që gazetarët të jenë cak i lehtë i sulmeve dhe pengimit në kryerjen e punës së tyre.

“Ky lajmi për këtë tronditje kaq të poshtë, në fakt tronditjen më të ulët në 10 vitet e fundit është jashtëzakonisht shqetësues dhe kjo tregon se ambienti i bërit gazetari në Kosovë po vështirësohet çdo ditë e më shumë…Me këtë çasje që ka qeveria, që ka pasur deri tash, në fakt përpjekja për ta minuar besimin e mediave në publik e ka vështirësuar punën e gazetarëve. Sot, kjo çasje e qeverisë dhe jo vetëm e qeverisë, e ka sjellur situatën që gazetarët dhe gazetaret në terren të jenë cak i lehtë i sulmeve, pengimit të punës së tyre, për shkak se qasja e qeverisë dhe veprimet e saj pasta shoqërohet edhe me reagimet në masë të madhe nga ushtria e militantëve ose edhe ushtria digjitale në rrjete sociale e cila e ndërton narrativën se mediat dhe gazetarët janë armiqtë kryesor dhe gjithmonë janë fajtorë për çfarëdo që ndodhë keq në Kosovë”, potencoi Mushkolaj.

Se gazetarët po përballen çdoherë e më shumë me sfida gjatë raportimit të tyre, e theksoi edhe gazetarja, Gentiana Hasani. Edhe Hasani konsideron se qasja e qeverisë ndaj gazetarëve ka ndikuar në renditjen e Kosovës në raportin e Reporterëve Pa Kufij.

“Përtej vështirësive që ka puna jonë në terren për të sjellur informacion, storje sa më interesante, qoftë edhe informuese ka ndikuar absolutisht edhe qasja e qeverisë ndaj gazetarëve, e cila po besoj ka qenë njëra ndër shtyllat kryesore pse gazetarët, pse Kosova gjendet në këtë renditje të raportit të Freedom House. Është absolutisht shumë shqetësuese gjendja në të cilën jemi dhe po na vështirëson shumë edhe neve punën në terren me palë çdo ditë dhe ndoshta po gjykohemi pa të drejtë për punën tonë që e kemi duke marrë parasysh kritikat dhe sulmet e vazhdueshme të anës së qeverisë”, tregoi Hasani.

Drejtori i Radios “ Romano Avazo”, Fatmir Menekshe tha se jo vetëm partia në pushtet, por edhe partitë e tjera po ndikojnë në pengimin e mediave për ta kryer punën e tyre. Ai tha se kjo po ndikon jo vetëm te mediat qendrore, por edhe tek ato komunitare.

“Jo vetëm partia në pushtet por edhe partitë e tjera që janë në rrethin e partisë në pushtet e kanë marrë stilin ose ideologjinë e partisë në pushtet dhe mundohet që të ndikojnë në media që të mos shkruajnë shumë, të mos raportojnë shumë apo të mos jenë shumë në terren…Nuk është vetëm diçka që po rezulton apo reflekton tek mediat qendrore ose tek mediat shqiptare, kjo po rezulton edhe tek mediat komunitare”, tha Menekshe.

Në raportin vjetor të Organizatës Botërore “Reporterët pa Kufij” për vitin 2023, Kosova është ngritur për pesë vende (56) në krahasim me vitin 2022, kur renditej në pozitën 61.

3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Back to top button