Enver Sekiraqa dënohet me 25 vjet burgim

Gjykata e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Sekiraqës i është ndërprerë edhe masa e arrestit shtëpiak.

Polici Triumf Riza u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga lokali në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Për vrasjen e tij është dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës.

Këtij incidenti, siç pretendonte Prokuroria, i kanë paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në “Swiss Casino” në dhjetor 2006.

Enver Sekiraqa ishte në arrati për rreth pesë vjet.

Në arrati e i dyshuar ka qenë edhe Ilir Avdullahu deri më 16 korrik 2023, kur u arrestua. Ndaj tij Prokuroria Speciale nuk ka ngritur ende aktakuzë.

Prokuroria pretendon se Sekiraqa ishte udhëheqës i grupit kriminal dhe ishte i shtyrë prej hakmarrjes, meqë, sipas saj, Riza e kishte rrahur Sekiraqën në lokalin e lojërave të fatit “Swiss Casino” në Prishtinë një vit para vrasjes së Rizës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Back to top button