Rizvanolli thotë se strategjia e energjisë s’parasheh ndërtimin e hidrocentraleve të reja

(Lajm i përditësuar)
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të premten në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur për draftin e Strategjisë së Energjisë, 2022-2031. Sipas saj ky dokument aktualisht nuk parasheh nderimin e hidrocentraleve të reja.
“Duke marrë parasysh burimet e kufizuara ujore që i kemi si shtet si dhe dëmin ambiental që është bërë me projektet ekzistuese, Strategjia aktualisht nuk parasheh hidrocentrale të reja, mirëpo nuk e përjashtojmë mundësinë që pasi që Ministria e Mjedisit të ketë bërë një plan zhvillimor për sektorin e ujerave, nëse ka mundësi të ndërtohen kapacitete ujore, kjo do të shqyrtohet, por vetëm në një moment kur të jemi të sigurt që kjo është në përputhje me objektivat e ambientit”, është shprehur Rizvanolli.
Sipas saj Strategjia parasheh një sektor të energjisë ku qytetarët do të jenë të përfshitë në mënyra të ndryshme.
“Strategjia e Energjisë 2022-2031 vendos orientimet afatgjata të zhvillimit të sektorit të energjisë, vendos themelet për një sektor të energjisë të ri, më të pastër me efiçinet dhe një sektor ku qytetarët janë me të përfshirë, të jenë pjesëmarrës aktivë, qoftë përmes vetëkonsumit, qoftë përmes informimit më të mirë dhe të qenit në gjendje për të marrë vendimet e duhura për kursimin e energjisë”, ka theksuar Rizvanolli.
08:59 – Qeveria miraton draftin e strategjisë të energjisë 2022-2031
Qeveria e Kosovës ka miratuar Draftin e Strategjisë të Energjisë së Republikës së Kosovës 2022-2031.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se sektori i energjisë është mjaft kompleks dhe përballet me shumë për dekada të tëra krizë energjetike dhe lufta në Ukrainë vetëm sa e ka përkeqësuar situatën.
Ajo tha se kjo strategji e cila ka gjithsej 5 shtylla duhet të shihet si mundësi për të vënë themelet e një sektori energjetik dhe hapjen e një kapitulli të ri për sektorin energjetik.
Në këtë mbledhje po ashtu u miratua edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin Ligjit për energjinë.
Rizvanolli tha se kanë kërkuar shqyrtim urgjent të këtij projektligji për shkak te situatës dhe përfshinë dy përmirësime.
Ekzekutivi kosovar në mbledhjen e sotme miratoi edhe projektligji për Kinematografinë.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Ceku tha se ky projektligj parasheh reformë të plotë strukturore në sektorin e filmit, i cili e shpall filmin si element të veçantë kulturor.
Ndërsa qeveria ka miratuar edhe draftin e koncept-dokumentit për rininë.
08:51 – Kurti: Me aplikimin në BE i dhamë cak orientimit evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të enjten dorëzoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Çeki, vendit që kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian. E gjatë mbledhjes së sotme lidhur me këtë vetë Kurti në hapjen e sotme të mbledhjes së qeverisë tha se me këtë veprim është dhënë cak orientimit evropian.
“Orientimit evropian i dhamë cak, përsëris orientimit evropian i dhamë përgjigje. Integrimi do të thotë njohje, pranim, ndërvarësi , njohja nga 5 vendet e BE-së do të mundëson përshpejtim të integrimit në BE”, tha ai.
Ai foli edhe për miratimin e buxhetit 2023.
“Mbrëmë Kuvendi miratoi buxhetin, për herë të dytë radhazi buxhetin po e miratojmë para fillimit të vitit. Ky buxhet do të thotë më shumë për të gjithë në ekonomi shëndetësi arsim, kulturë”, u shpreh Kurti.
07:45 – Qeveria Kurti mblidhet me mëngjes
Qeveria e Kosovës sot mban mbledhjen e radhës.
Ekzekutivi pritet të mblidhet në ora 8:00.
Në njoftim nuk janë bërë të ditura pikat që do të diskutohen.
Kjo është e mbledhja e parë e Qeverisë pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Krerët e shtetit kanë nënshkruar të mërkurën aplikimin e Kosovës për në BE, ndërsa dje kryeministri Kurti e ka dorëzuar atë në presidencën çeke në Pragë.