Qeveria lavdërohet për fondin, opozitë e ekonomistë e shohin pa zhvillim ekonomik
Ligji i Fondi Sovran, i cili u miratua në lexim të dytë, me 62 votat e partisë në pushteë, sipas kryeministrit, Albin Kurti, do të sjellë investime të reja në vend, duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e rritur qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit.
Mirëpo, ndryshe vlerëson ish ministri i financave, Haki Shatri, sipas të cilit, ky fond nuk është e as nuk do të jetë në funksion të zhvillimit të përshpejtuar ekonomik, e as të zgjidhjes së problemeve strukturore që e kanë rënduar ekonominë e Kosovës.
“…Mendoj që fryma e këtij fondi nuk është në pajtim me Kushtetutën. Kushtetuta e Kosovës është përcaktu për ekonominë e tregut të lirë edhe meqenëse fryma e këtij ligji që përcakton formimin e këtij fondi, i cili do të menaxhoj asetet të cilat vijnë nga struktura të ndryshme të ekonomisë së Kosovës e kryesisht nga ndërmarrjet shoqërore të cilat nuk janë ndërmarrje private por nuk janë as ndërmarrje shtetërore…”, tha për RTV21 Shatri.
zbatimin e këtij ligji, të cilin opozita tha se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, ekonomisti Safet Gërxhaliu, vlerëson se do ta dëmtojë shumë imazhin e Kosovës, edhe ashtu të dëmtuar.
“…Kam drojë që me implementimin e ligjit për fondin sovran do të hapet një kuti e pandorës shumë e rrezikshme që ka të bëjë me Trepcën, dhe me borxhet që i kërkohen Trepcës më tepër se 1 miliardë e gjysmë, prandaj, nuk e besoj se dikush ka vullnet të ndryshoj kushtetutën dhe t’i hiqet neni 10 i kushtetutës nga një ekonomi e tregut të shndërrohet në një ekonomi centraliste. Unë besoj që edhe ata që e kanë votu e dijnë që fondi do të shkoj në gjykatën kushtetuese por, ky është dëmi më i madh sepse kredibiliteti në drejtësi po hapet një front mes qeverisë dhe gjykatës dhe e tera kjo në të vërtetë dëmton shumë imazhin e Kosovës e cila ashtu është e dëmtuar…”, tha Gërxhaliu.
Ekonomisti tjetër, Adem Qorolli, konsideron se Fondi Sovran do të ketë sukses, vetëm nëse asetet shtetërore rregullohen me një politikë reale.
“…ne sic po shohim korporatat shtetërore nuk janë duke u menaxhuar dhe nuk janë duke arritur të mbijetojnë përvecse me ndihma shtetërore dhe kjo është rrezikshmëria e fondit sovran që nëse asetet shtetërore gjithmonë kanë nevojë të mirëmbahen, atëhere fondi sovran nuk do ta ketë suksesin e duhur, por nëse ato stimulohen dhe rregullohen me një politikë reale dhe fiskale atëherë do të jenë stimulative edhe për investime të huaja edhe për rritjen dhe zhvillimin ekonomik për vendin…”, tha për RTV21 Qorolli.
Në votimin e së premtes nuk mori pjesë opozita, përveç 62 deputetve të partisë në pushtet duke e miratuar kështu në lexim të dytë, ligjin për fondin Sovran. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për të mundësuar investimet e jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit, thuhet në plan-program. Fondit Sovran pritet t’i barten ndërmarrjet publike, si KEK-u, Trepça, Posta, Trainkos dhe Infrakos./21Media