Qeveria lejon personat mbi 60 vjet të kthehen në punë
Qeveria e Kosovës, ua lejon personave mbi 60 vjet të dalin në punë. Në vendimin e qeverisë përshkruhet që vetëm personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna lirohen nga paraqitja në punë, punëdhënësit, ndërkaq obligohen tu krijojnë kushte për angazhimin e tyre on line nga shtëpia.
Kjo u bë e ditur nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një përgjigje për RTV21, pas homazheve për Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun.
Të shtunën kur u prezantuan masat e reja për mbrojtje nga pandemia, thuhej se personat e moshës mbi 60 vjeç obligohen që të punojnë nga shtëpia. Kjo ngjalli reagime të njohësve të drejtësisë pasi nëse personat e kësaj moshe nuk mund të dalin në punë, i bie që asnjë gjykim apo hetim nuk mund të zhvillohet. Mos prania e gjyqtarëve të kësaj moshe, prokurorëve apo avokatëve nëpër seanca gjyqësore, do të shkaktonte dështim dhe shtyrje pafund të gjykimeve./21Media