Qeveria miratoi Projektligjin për Kadastër të Pronës së Paluajtshme

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar Projektligjin për Kadastër të Pronës së Paluajtshme në mbledhjen e 7 qershorit.

Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) vlerëson se Miratimi i Projektligjit për Kadastër të Pronës së Paluajtshme, është një hap drejt arritjes së objektivave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës për avancimin e modernizimin e kadastrës, rindërtimin e informacioneve kadastrale dhe të drejtave pronësore, në linjë me vizionin e qasjen serioze institucionale për reforma rrënjësore në kadastrën shtetërore.

“Hartimi i Ligjit të ri për Kadastër të Pronës së Paluajtshme ka për qëllim, rregullimin e shërbimit publik të pasurive të paluajtshme në kadastër, administrimin e kadastrit dhe organizimin e institucionit përgjegjës për kadastër në Republikën e Kosovës. Projektligji është në përputhje me përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së, dhe në linjë më ndërtimin e infrastrukturës ligjore në fushën e kadastrës dhe pronës së paluajtshme si dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Projektligji për Kadastër të Pronës Paluajtshme adreson të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shërbimin e kadastrës duke përfshirë organizimin institucional të kadastrës në Republikën e Kosovës, përmbajtën e kadastrit, matjet kadastrale, regjistrimin e pronave të paluajtshme dhe të drejtave pronësore mbi ato prona, rindërtimin e informacioneve kadastrale, e aspekte tjera të rëndësishme.”, thuhet në njoftim.

Siç njofton AAK reformat ligjore e normative të cilat parashihen të ndodhin janë:

Unifikimi i legjislacionit nga fusha e kadastrës; Organizimi vertikal institucional përmes përfshirjes së Zyrave Kadastrale Komunale në kuadër të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me qëllim të rritjes së përformancës, përgjegjësisë në punë, bashkëpunimit dhe koordinimit më të mirë. Një organizim i tillë është bazuar edhe në sistemin kadastral të shteteve të rajonit dhe më gjerë; Fuqizimi i rolit të komisionit për Rindërtimin e informacioneve kadastrale, me qëllim të mundësimit të regjistrimit të pronave, më shpejt dhe më lirë, në emër të pronarëve faktik si dhe zvogëlimit të informalitetit i cili është barrë për të drejtat pronësore në Republikën e Kosovës; Karakteri publik i të dhënave kadastrale, përkatësisht qasja më e lehtë e institucioneve dhe publikut në të informacione kadastrale./21Media

Back to top button