Qeveria e Kosovës miratoi sot 15 marrëveshje bashkëpunimi me Shqipërinë. Të njëjtat pritet të nënshkruhen të premten në mbledhjen e dy qeverive.

Ndër të tjera, më 2 tetor në mbledhjen e dy qeverive pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja për krijimin e fondit të përbashkët për mbështetje të shqiptarëve në Luginë. Po ashtu, Qeveria e Kosovës sot ka votuar për themelimin e zyrës për Luginën e Preshevës, përmes së cilës, kryeministri tha se do të mbështesin shqiptarët.

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Avdullah Hoti tha se në ditët në vijim do të takojë edhe përfaqësuesit e Luginës.

“Në mbështetje të shkollave, furnizimit me libra, me materiale të ndryshme mësimore, mbështetje në aktivitetet kulturore, në promovimin dhe ruajtjen e kulturës në atë pjesë, në mbështetje që do të japim në punim, duke nxitur bashkëpunimin në mes odave ekonomike, në mes bizneseve dhe duke promovuar drejtpërdrejtë punësimin, përtej kësaj, në kuadër të marrëveshjeve që do të nënshkruajmë më Shqipërinë do të jetë edhe krijimi i fondit të përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, tha Hoti.

Këtë, Hoti e konsideroi si arritje të madhe të qeverisë që ai e drejton ku shtoi se ky është hapi i parë për të ndihmuar formalisht qytetarët në Luginën e Preshevës.

Mbledhja e dy qeverive pritet të mbahet të premten në Shkodër, ku janë 15 marrëveshje që pritet të nënshkruhen, e ndër të tjera edhe një deklaratë e përbashkët e dy kryeministrave të cilët rekomandojnë Kuvendin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjeve që arrihen në mes dy vendeve.