Qeveria miraton Strategjinë për Sundimin e Ligjit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh.
Kabineti qeveritar, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti miratuan ndarjet buxhetore për zbatimin e disa masave të pakos për ringjallje ekonomike, si dhe projektligje dhe drafte të planeve strategjike të veprimit.
Ekzekutivi miratoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit Projekti emergjent i Kosovës për COVID-19, financim shtesë, në mes të Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Miratuan edhe draftin e planit të veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet BE-së dhe Kosovës për agjendën për reforma evropiane. Ndërkohë, miratuan edhe Draftin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021-2026.
Në kuadër të zbatimit të pakos ekonomike, Qeveria miratoi vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për subvencionimin e policave kufitare për zbatimin e vendimit të qeverisë, si mbështetje ndaj mërgatës.
E bënë edhe ndarjen e mjeteve buxhetore edhe Fondin për Garanci Kreditore si zbatim i masës. 2.2 të pakos për ringjallje ekonomike.
Vendim morën edhe për ndarjen e mjeteve buxhetore për Ministrinë e Financave për mbështetje për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, si rezultat i masës 3.2 të pakos për ringjallje ekonomike.