Qeveria ndan 10 milionë euro për Pakon e Ringjalljes Ekonomike

Qeveria e Kosovës ka miratuar pesë vendime në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike.
Në njërën nga vendimet, qeveria ka miratuar ndarjen e 10 milionë e 300 mijë eurove për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme u miratua edhe vendimin për miratimin e ekuivalencës së sistemit të vjetër me sistemin e ri të koeficienteve me qëllim të llogaritjes së pagës bazë për të punësuarit në sektorin publik, për të cilët, sipas qeverisë, është i nevojshëm procesi i klasifikimit të vendeve të punës.
“Miratohet vendimi me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës jep mendim lidhur me Nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-158. Qeveria vlerëson nismën në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë mbështetë nismën e propozuar dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vlerësuar se kjo nismë nuk krijon kosto shtesë buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës”.
“Miratohet vendimi për themelimin e Komisionit për Shtesën e Kushteve Specifike të Punës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
E, në këtë mbledhje u miratua edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të qeverisë të datës 12 dhjetor 2022 për miratimin e Planit të Veprimit për Zbutjen e Ndikimit të Menjëhershëm Socio-Ekonomik të Krizës Energjetike.

Back to top button