Qeveria ndan 31 mijë euro për “Mbrojtjen Civile”

Qeveria e Kosovës ka ndarë 31 mijë euro për integrimin e personelit nga fondi i kontingjentit për “Mbrojtjen Civile”

Ministrja për dialog, Edita Tahirit në mbledhjen e Qeverisë tha se kjo i jep fund integrimit të strukturës “Civilna Zastita”, e cila për shumë vjet është konsideruar paralele me veprim në veri të Kosovës.

Qeveria ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellët në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se kjo nismë ka për qëllim të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve dhe reagimin e shpejtë në raste të fatkeqësive natyrore.

Qeveria po ashtu miratoi propozim vendimin për pezullimin e zbatimit të rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimit të ndihmës juridike falas.

Ndërsa, ministrja  e Drejtsisë, Mimoza Ahmetaj e ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimin e nën komitetit të MSA së për tregti, industri, dogana dhe tatime ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Komisionit Evropian.

Ahmetaj tha janë dakorduar masat që duhet marrë në një varg sektorësh.

“Komisioni evropian përshëndeti progresin e bërë nga dogana për luftimin e korrupsionit dhe kontrabandës. Një nga pikat më të rëndësishme ka qenë dhe luftimi i ekonomisë jo formale. Sa i përket politikave te industrisë është folur për zhvillimet legjislative”, tha ajo.

Back to top button