Qeveria ndau afro 100 mijë euro për mbështetjen e kampanjës së filmit “Zgjoi”
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, janë ndarë mjetet financiare për mbështetjen e kampanjës së filmit “Zgjoi”
Qeveria ka ndarë 95 mijë e 725 euro, të cilat do të përdoren për mbështetjen e pjesën e dytë të kampanjës së filmit.
“Aprovimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për mbështetje financiare për zbatimin e Masës 4.3 – Mbështetja e Kulturës dhe Sportit. Me vendimin e aprovuar sot janë ndarë mjete financiare në shumën prej 95,725 eurove të cilat do të përdoren për mbështetjen e pjesës së dytë të kampanjës së filmit “Zgjoi”, i nominuar nga Republika e Kosovës për të garuar në kuadër të edicionit të 94-të të Çmimeve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të filmit, ‘Oscars’”, bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, pas mbledhjes elektronike.
Filmi “Zgjoi” është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, ndërkaq është propozim i Kosovës për “Oscars 2022”.
“Zgjoi” sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
“Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj. “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut./21Media