Qeveria paralajmëron se këtë vit do të aplikojë për anëtarësim në BE

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i uroi mirëseardhjen ambasadorit të Francës, Olivier Guérot, në këtë takim të parë mes tyre.
Në komunikatë thuhet se në bisedën e zhvilluar, u shpreh bashkërisht gatishmëria për të vazhduar marrëdhënien dhe bashkëpunimin e ngushtë me ambasadën franceze.
Bislimi ka thënë se këtë vit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Ky vit është shumë i rëndësishëm sa i përket agjendës evropiane të Kosovës, ku pas aplikimit për anëtarësim në​ Këshillin e Evropës, do të aplikojmë brenda vitit dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat. Kosova gjendet në vitin e 6-të të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, duke qenë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i cili akoma nuk ka aplikuar, andaj tashmë ka ardhur momenti të merret një hap i tillë”, ka thënë zëvendëskryeministri Bislimi.
Tutje, në takim u bisedua dhe mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon dhe dialogun me Serbinë, ku u potencua fakti se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të përhershme, ligjërisht të obligueshme, me në qendër njohjen reciproke.
“Marrëdhëniet Kosovë-Francë kalojnë edhe përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik, rritjes së investimeve franceze në vend e projekteve konkrete në fusha me interes të përbashkët”, thuhet në komunikatë./21Media

Back to top button