Qeveria për raportet e PE-së: Kosova palë e përkushtuar

Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se Raporti i Parlamentit Evropian për Kosovën është një tjetër dëshmi e progresit në vend.

Sipas një komunikate për media, Qeveria ka vlerësuar se në lidhje me procesin e dialogut, siç thuhet, të bazuar në njohjen reciproke, “Kosova vlerësohet si palë e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive”.

Derisa thuhet se Serbia “dënohet për veprime përshkallëzuese”.

“Ndërkohë, dënon Serbinë për veprimet përshkallëzuese të aktorëve të sponsorizuar nga ta, duke përfshirë bllokadat e paligjshme, sulmet e dhunshme dhe kërcënimin për veprime ushtarake, si dhe fushatën e tyre të çnjohjes dhe votën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas Qeverisë në Raportin për Kosovën evidentohet dhe mirëpritet veçanërisht angazhimi dhe dialogu i shtuar me serbët e Kosovës gjatë vitit të kaluar.

Sipas ekzekutivit Raporti evidenton suksese dhe mesazhe pozitive për vendin.

“Forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe maturia institucionale e qeverisëse, janë vetëm disa nga shembujt e përmendur në këtë raport. Theksohet dhe se Parlamenti Evropian mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke bërë thirrje për prezantimin e pyetësorit dhe përgatitjen e opinionit mbi aplikimin dhe rithekson mbështetjen për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, PFP e NATO-s dhe INTERPOL”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas Qeverisë Raporti lavdëron Kosovën për aktivitetin e shtuar legjislativ në lidhje me reformat e agjendës evropiane, përparimin në zbatimin e prioriteteve të Agjendës së Reformave Evropiane II dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Tutje thuhet se Raporti mirëpret periudhën më të gjatë të stabilitetit politik deri më tani pas zgjedhjeve të vitit 2021.

“Në raport kërkohet nga shtetet anëtare, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme. Në mes të tjerash, në zhvillim ekonomik vlerëson pozitivisht përformancën e jashtëzakonshme të eksportit, rritjen ekonomike si dhe politikat për të lehtësuar ndikimin e pandemisë dhe të çmimeve të larta të energjisë për familjet dhe bizneset më të prekura”, thuhet në komunikatë.

Back to top button