Qeveria serbe thotë se ka në fokus dialogun me Kosovën

 

Qeveria e Serbisë e ka në fokus dialogun me Kosovën, por kërkon zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur më parë.

Kështu është thënë në një komunikatë për media të lëshuar nga Qeveria e Serbisë, pas takimit të kryeministres serbe Ana Bërnabiq dhe Zëvendësndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit Matthew Palmer.

Të dërguarit e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mirosllav Lajçak dhe Matthew Palmer, do të takohen me krerët më të lartë shtetërorë të Serbisë më 3 qershor në Beograd.

Në fokus të takimeve të tyre në Beograd, por edhe në Prishtinë, kanë qenë përgatitjet për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në muajin qershor në Bruksel, ku pritet të takohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimeve, Lajçak dhe Palmer nuk do t’iu drejtohen mediave në ditën e parë të vizitës së tyre në Beograd, por informacionet dhe njoftimet u përcollën nga institucionet serbe.

Një deklaratën e Qeverisë serbe është thënë se kryeministrja Bërnabiq ka deklaruar gjatë bisedës se është e nevojshme të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, para së gjithash ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Beogradi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij dhe ne presim ta shohim atë nga pala tjetër, në mënyrë që dialogu të ketë kuptim. Njëra prej tyre është çështja e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar në zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje”, ka thënë Bërnabiq.

Sipas deklaratës, Palmer ka theksuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rolin e të dërguarit special Mirosllav Lajçak në këtë proces, si dhe ka vlerësuar “fokusin e Beogradit dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në bisedimet me Prishtinën”./REL

Back to top button