Qeveria subvencionon sërish izolimin e shtëpive, aplikimi hapet nesër

Edhe sivjet qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të aplikojnë për subvencione rreth izolimit të shtëpive, ndërrimit të dritareve dhe derës së hymjes.

Kjo pasi Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë kanë lansuar thirrjen e dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”.

Me anë të këtij projekti qytetarët që do të përfitojnë, do të subvencionohen për 45% të shumës së shpenzuar për izolim të shtëpisë, izolim të kulmit dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme.

Në rastet kur shtëpia është në bashkëpronësi të çiftit ose në pronësi të gruas është paraparë edhe një bonus prej 5%.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti tha se thirrja për subvencionim do të jetë e hapur për dy javë.

“Masat janë dizajnuar që të ulen shpenzimet e energjisë për familjet dhe bizneset. Një ndër masat më të mirëpritura nga qytetarët është pikërisht kjo që po e lansojmë sot. Kësaj radhe thirrja parashihet të jetë e hapur për dy javë. Ju ftoj të gjithëve që të aplikojnë sa më parë, pasi kush aplikon i pari përfiton i pari”, tha Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se skema e vitit të kaluar është treguar e suksesshme, andaj edhe sipas saj subvencione të tilla do të ketë edhe viteve në vijim.

Ndërsa, nga zyra e BE-së në Kosovë thanë se përveç kursimeve financiare, masat do të luajnë rol të rëndësishme edhe në përmirësimin e ajrit të pastër.

Aplikimi për të përfituar nga këto masa përfshinë:

Hapjen e llogarisë në e-Kosova;

Verifikimi i konsumimit të energjisë përmes kësaj platforme;

Nëse kalojnë kriterin e konsumit të energjisë, të angazhojnë një auditor të energjisë i cili do të bëjë raportin e thjeshtëzuar të auditimit;

Pasi të marrin këtë raport të thjeshtëzuar të auditimit, mund të fillojnë aplikimin në e-Kosova, duke plotësuar të gjitha fushoret dhe duke ngarkuar raportin e auditimit.

Procesi i aplikimit do të hapet nesër.

Show More
Back to top button