Qeveria synon përfundimin e ndërtimit të impianteve në shtatë qendra të Kosovës

Këshilli Ndërministror i Ujërave ka mbajtur takimin e parë në përbërjen e tij të re, në të cilin ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti.
Në kuadër të diskutimit mbi gjendjen e sektorit të ujërave në Kosovë dhe orientimit strategjik të Qeverisë së Kosovës në këtë fushë, Kurti ka thënë se jemi të përkushtuar në zhvillimin e sektorit të ujërave dhe se beson që kjo qeveri është me aktivja deri më tani në përparimin e këtij sektori.
Duke renditur disa prej veprimeve që qeveria ka ndërmarrë deri më tani, kryeministri ka theksuar se “është krijuar grupi punues për kthimin e ligjshmërisë në dhënien e së drejtës ujore me qëllime komerciale, është ndaluar dhënia e pasurisë ujore pa koncesion, është miratuar programi për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore, është miratuar financimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura për Gjilan dhe Mitrovicë. Kurse sa i përket qeverisjes korporative në ndërmarrjet rajonale të ujërave dhe ujitjes, është emëruar Bordet e përkohshme të Drejtorëve me përbërje të barabartë grash dhe burrash dhe jemi në proces të përzgjedhjes së Bordeve të Drejtorëve për shumë ndërmarrje tjera”.
Ai ka veçuar rritjen prej 220% në të hyrat nga pagesat ujore si dëshmi e angazhimit të qeverisë dhe ndërmarrjeve publike në grumbullimin e të hyrave, por edhe e besimit të lartë të qytetarëve ndaj qeverisë dhe institucioneve vartëse.
Të vetëdijshëm për rezervat e ulëta ujore në vend të cilat nuk kalojnë shifrën prej 500 milionë metra kube ujë, Kurti ka ritheksuar synimin e Qeverisë për të rritur këto kapacitete duke ndërtuar dy diga të reja brenda këtij mandati, gjatë të cilit synohet edhe përfundimi i ndërtimit të impianteve në shtatë qendrat e mëdha të Kosovës.
Kryeministri ka shprehur falënderimin në emër të qeverisë ndaj komunitetit të donatorëve për përkrahjen e vazhdueshme në sektorin e ujërave, duke veçuar qeverinë i Zvicrës dhe Gjermanisë, Komisionin Evropian dhe Bankën Botërore.
Në këtë mbledhje, përpos ministrave të kabinetit qeveritar dhe institucioneve të linjës, të pranishëm kanë qenë edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss./21Media

Back to top button