Qindra raste të dhunës në shkolla për 5 muaj, njohësit fajësojnë institucionet

Dhuna në mes të nxënësve në shkollat e Kosovës mbetet një fenomen shqetësues. Rezultatet e aksionit policor në Ferizaj sërish ngjallen debatin për të bërë më shumë rreth sigurisë në dhe rreth institucioneve shkollore. Organizatat dhe njohësit e çështjeve të arsimit bëjnë përgjegjës për dhunën për shkak të neglizhencës dhe mungesës së psikologëve, ndërsa Ministria e Arsimit thotë se ka ngritur Forumin Nacional për Shkolla Miqësore për të parandaluar rastet e dhunës në shkolla.
Në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës, thuhet se vetëm për pesë muajt e parë të vitit 2022 janë raportuar 288 raste të ndryshme të dhunës në shkolla.
“Për periudhën janar – maj 2022 janë raportuar 288 raste/incidente në shkolla dhe përreth tyre në nivel vendi. Nga rastet më të shpeshta të raportuara përfshihen: ‘Lëndim i lehtë trupor’, ‘Dëmtim prone’, ‘Vjedhje’ e të tjera”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Përpos dhunës fizike, së fundmi një arsimtar në një shkollë në Pejë është pezulluar pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të klasës së shtatë. Kjo përbën shqetësim tjetër edhe për organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Bukureza Surdulli nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë deklaroi për KosovaPress se siguria në shkolla viteve të fundit ka shënuar rënie dhe për këtë arsye ka rritje të rasteve të dhunës, madje sipas saj, ka raportime që në shkolla po ndodh edhe dhuna seksuale.
“Sa i përket dhunës në shkolla, ne si koalicion kemi vënë re bashkë me organizatat anëtare që viteve të fundit ka rënë siguria në shkolla. Dhe për këtë arsye edhe numri i rasteve të dhunës është në rritje… Me fokus ne kemi me pas aktivitete edhe sa i përket dhunës seksuale të fëmijëve, por edhe këtu do të fokusohemi në shkolla sepse kemi raportime që një dhunë e tillë po ndodh edhe në ambientet ku nuk ishte dashur të ndodhë d.m.th. në shkolla… Në Kosovë nuk kemi një sistem te fragmentuar të ofrimit të shërbimeve për dhunë. Ende shërbimet arsimore, shërbimet sociale dhe shëndetësore nuk janë të integruara, për këtë arsye edhe rritja e numrit të dhunës në shkolla është në rritje, sepse në shkolla nuk ka edhe psikologë të mjaftueshëm, ku ka raste kur një psikolog punon në më shumë se një shkollë, d.m.th. në dy apo tre shkolla ndahet me një psikolog, mungesa e një psikologu, e një profesionisti, pedagogu, punëtori social, të gjitha këto bashkë bëjnë që sistemi të dështojë dhe fëmijët të mos kenë mbrojtje nga dhuna”, theksoi Surdolli.
Rinor Qehaja nga Instituti Edguard, tha se institucionet përgjegjëse duhet të kenë një përkushtim më të madh karshi rasteve të dhunës.
“Institucionet tona e kanë të obligueshme konform ligjit që të kenë një përkushtim më të madh karshi rasteve të dhunës. Rikujtoj që dhuna vazhdon të jetë prezentë për shkak neglizhencës institucionale, pra sikur të kishim një institucion të shkollës, drejtori komunale, por edhe një qeverisje qendrore më të përkushtuar dhe më të vullnetshme, në bindjen time rastet e dhunës do të ishin shumë më minimale”, u shpreh Qehaja.
Ndërsa Jeton Demi nga Këshilli i Prindërve ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi nga akteret e përfshirë në sistemin arsimor në mënyrë që të rritet siguria në shkolla dhe rreth shkollave, derisa kanë kërkuar që të shtohet edhe numri i psikologëve dhe pedagogeve në shkolla.
“Aktualisht shumica e shkollave të Prishtinës, në mos të gjitha nuk kanë psikologë gjatë gjithë kohës në institucione. Janë disa të cilët angazhohen me orar të caktuar ose sipas ditëve, rrjedhimisht kjo mungesë sjellë që te kemi vështirësi në menaxhimin e rasteve të ndryshme që paraqiten në shkollat e Prishtinës. Sidomos pas pandemisë kemi shfaqje të shtuar të rasteve edhe të dhunës deri diku që janë raportuar edhe në polici me qindra raste. Andaj situata është brengosëse dhe shpresojmë që do të kemi masa shtesë në çështjen e sigurisë në përgjithësi, por duke pasur psikologë e pedagogë nëpër shkolla besojmë që do të ndihmonte në këtë proces”, tha ai.
Ministria e Arsimit ka iniciuar themelimin e Forumit Nacional p¬ër Shkolla Miq¬ësore ndjekjen e situatës së sigurisë në shkolla.
Këshilltarja për media në këtë ministri, Iliriana Pylla, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress tha se ky forum pritet të përmbushë nevojat e vazhdueshme të komunitetit të shkollave dhe përkon me zhvillimin e politikave që sjellin arsim më cilësor e gjithëpërfshirës dhe ambient të sigurt për nxënësit
“Është iniciuar themelimi i Forumit Nacional për përcjelljen e vazhdueshme të situatës së sigurisë, rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm në institucionet arsimore dhe aftësuese parauniversitare. Do të ketë bashkërendim ndërinstitucional e shumëpalësh për zbatim të politikave të sigurisë, parandalimit të dhunës, mbrojtjes së fëmijëve, ngritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të tyre. Forumi Nacional do të jetë një bazë e fortë këshillëdhënëse mbi çështjet e rëndësishme që lidhen me promovimin e ambienteve të sigurta shkollore, ku stimulohet rritja e shëndoshë dhe zhvillimi i plotë i potencialit të fëmijëve. Ky Forum pritet të përmbushë nevojat e vazhdueshme të komunitetit të shkollave dhe përkon me zhvillimin e politikave që sjellin arsim më cilësor e gjithëpërfshirës”, tha ajo.
Pas raportit policor në Ferizaj, gjatë së premtes ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Ngavci, që kërkoi angazhim më të madh të mësimdhënësve, menaxhmentit të shkollave dhe Drejtorive Komunale të Arsimit. Po ashtu, Nagavci ka kërkuar nga prindërit që të mbajnë fokusin të fëmijët./kp

Back to top button