​QKRMT kërkon që “Heroinat” të jetë pjesë e listës së trashëgimisë kulturore për mbrojtje

Memoriali “Heroinat” po kërkohet të jetë pjesë e listës së trashëgimisë kulturore për mbrojtje. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) me letër të hapur drejtuar kryeministrit, kryeparlamentarit, ministrit të Kulturës, kryetarit të Prishtinës dhe Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturor, ka kërkuar që të përkujdesen për këtë hapësirë.

Në të kundërtën, drejtoresha e QKRMT-së deklaroi se dëshmohet mos-kujdesi i sakrificës së mijëra grave e vajzave gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo theksoi se në këtë memorial shpesh herë ka mbishkrime që nuk i shkojnë natyrës që përfaqëson.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se nuk mund të ecet para, pa nderimin e mijëra grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Sheshi ‘Heroinat’ bashkërisht me këtë memorial është bërë vend që vizitohet nga liderët botëror. Është bërë vend që i jepen homazhet e merituara nga liderët e vendit. Është bërë hapësirë ku avokohen dhe adresohen çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës dhe në veçanti krimet e dhunës seksuale. Është një memorial që e njeh sakrificën e gjitha grave, vajzave gjatë luftës. Prandaj, na ka shqetësuar fakti që ky memorial nuk është i njohur siç janë edhe memorial tjera në këtë hapësirë. Me këtë letër të hapur ne i ftojmë institucionet prej kryetarit të Kuvendit të Kosovës, kryeministrit, ministrin e Kulturës, kryetarin e Prishtinës dhe institucionet tjera që ta njohin këtë memorial, të përkujdesën për të sepse mos-kujdesi ndaj këtij memoriali dëshmon edhe mos-përkujdesjen ndaj sakrificës së luftës së mijëra grave dhe vajzave, e në veçanti viktimat e dhunës seksuale”, deklaroi ajo.

Tutje, Rushiti tha se këtë iniciativë e kanë përkrahur edhe dy të mbijetuarat e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani e shumë organizata të tjera jo-qeveritare.

“Ne e kemi parë që kjo hapësirë këtu përreth por edhe memoriali shumë herë ka mbishkrime që nuk i shkojnë natyrës së këtij memoriali. Dhe sot për 8 mars duke e përkujtuar sakrificën e gruas kemi dashur që të përkujdesemi, ta pastrojmë edhe të tregojmë një shenjë respekti për këtë lloj monumenti. Gjatë bashkëbisedimit me institucionet relevante për të pyetur dhe të marrim leje se a mundemi të intervenojmë dhe çfarë mund të kontribuojmë ne si organizatë jo-qeveritare bashkë me organizatat tjera, e kemi parë që monumenti nuk radhitet në listën e monumenteve të mbrojtura”, shtoi Rushiti para mediave.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Rushiti theksoi se plaga e luftës së mijëra grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës, ende po mbahet e izoluar në familje.

“Ende jemi larg trajtimit të barabartë të gruas, e në veçanti plagëve të luftës, kur flasim për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Për faktin që mendoj se institucionalisht mendoj që është lëvizur edhe të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës janë bërë pjesë e diskursit politik e mediatik, sido që të jetë në familje, në komunitet, ende kjo plagë mbetet e heshtur, mbetet e patrajtuar dhe gratë e vajzat por edhe burrat që kanë përjetuar këtë krim ende rrinë të izoluar në familje”, përfundoi ajo.

Memoriali “Heroinat” është i ndërtuar nga mbi 20 mijë medalje, të cilat simbolikisht nderojnë kontributin dhe sakrificën e grave shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu, memoriali përkujton tmerrin e përjetuar nga agresori serb.

Back to top button