QSUT: U paraqitën 76 pacientë pas tubimit, 5 nën kujdes mjeksor

Drejtoria e QSUT ka vënë në dispozicion dokumentacionin për të sqaruar shkaqet

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë ka konfirmuar se në orët e para të mëngjesit, deri në orën 11:00 janë paraqitur 76 qytetarë të cilët paraqisnin ankesat si skuqje të fytyrës dhe syve, lotim, kruarje të syve dhe rrufë.

Të gjithë qytetarët referojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme kanë marrë pjesë në aktivitetin e Partisë Demokratike.

Drejtoria e QSUT në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe stafin mjekësor të Shërbimeve të QSUT, morën menjëherë masat për trajtimin e këtyre pacientëve.

Aktualisht, 5 pacientë po mbahen në observim në pavionin e Okulistikës nga një ekip multidisiplinar mjekësh specialistë. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë, pa komplikacione të rëndësishme.

Drejtoria e QSUT ka vënë në dispozicion të Institutit të Mjeksisë Ligjore të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të sqaruar shkaqet e këtyre simptomave.

Back to top button