Qumështarët bëhen pjesë të grupeve punuese në Ministrinë e Bujqësisë
Memaj ka thënë se është me rëndësi prezenca e akterëve në këtë grup
Ministria e Bujqësisë sot në mbledhjen e grupeve punuese për qumështarët nuk i kishte përfshirë edhe shoqatat e fermerëve dhe qumështarëve, mirëpo pas një takimi ndërmjet drejtuesve të këtyre shoqatave me sekretarin e ministrisë së Bujqësisë, kanë arritur marrëveshje që këto shoqata të përfshihen në këto grupe.
Kryetari i Shoqatës së Qumështarëve, Ramadan Memaj ka thënë se në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, përfaqësuesit e dy shoqatave nuk kanë qenë asnjëri në këto Grupe Punuese, mirëpo, sipas tij, ky problem është tejkaluar dhe tani e tutje do të bëhet një Grup tjetër Punues, në të cilin do të përfshihen edhe përfaqësuesit e shoqatave.
Në të kaluarën ai ka thënë se ka qenë të përfshirë në Grupet Punese si shoqatë,dhe nuk i di arsyet përse janë përjashtuar nga ai grup. Memaj ka thënë se është me rëndësi prezenca e akterëve në këtë grup për shkak se kanë pasur ankesa të vazhdueshme sa i përket mënyrës se si janë shpërndarë subvencionet dhe grantet nga kjo Ministri.
Ndërsa, Besim Kuqi nga Shoqata e fermerëve të qumështit tha se përfaqësues të tyre duhet me qenë në këto grupe punuese për t’i paraqitur problemet e tyre vet, e jo dikush tjetër.
Shoqatat dhe Ministria e Bujqësisë janë dakorduar që nga nesër t’i dërgojnë emrat e përfaqësuesve të shoqatave, të cilët do të marrin pjesë në Grupet Punuese.