Quni fajëson Qeverinë: Po i rrezikon ushtarët e Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në një konferencë për media, ka ngritur shqetësimet e LDK-së lidhur me krizën e ushqimit për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Quni ka thënë se dështimet e qeverisë në furnimin me ushqim, po rrezikojnë ushtarët e Kosovës.
“Situata nuk është thjesht një çështje e vonesave në ushqim është një çështje shëndeti, sigurie dhe gatishmërie operacionale. Ushtarët tanë tani përballen me kërcënimin real të helmimit nga ushqimi dhe infeksionit për shkak të kushteve të përkeqësuara higjienike dhe shërbimeve ushqimore të pasigurt’’, tha Quni.
Duke kritikuar Qeverinë lidhur me krizën, Quni gjatë një konference për media tha se ndodhemi sot në këtë gjendje shkaku i varësisë së qeverisë karshi kontratave emergjente për blerje.
“Pse jemi në këtë situatë? Është për shkak të varësisë së qeverisë nga kontratat emergjente për blerje, të menaxhuara pa transparencë ose llogaridhënie. Këto zgjidhje të përkohshme dhe të rastit po e rrezikojnë shëndetin dhe moralin e forcave tona”, shtoi Quni.
Tutje ai tha se nën drejtimin e LDK-së blerja e ushqimit dhe shërbimeve të tjera thelbësore për FSK-në do të menaxhohen me profesionalizëm, transparencë dhe parashkim.