Quni thotë se Strategjinë e Sigurisë e përgatiti një njeri me metodën “copy-paste”

(Lajm i përditësuar)

Deputeti i LDK-së, Anton Quni e ka quajtur sipërfaqësor dhe të kopjuar nga shtetet e rajonit Strategjinë e Sigurisë 2022-2027, e cila po shqyrtohet sot në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se me hartimin e kësaj strategjie “është marrë vetëm një njeri”, i cili, sipas tij, ka punuar me metodën ‘copy-paste’ nga internet.
“Me tregu të drejtë i kisha pritjet e mëdha derisa më ra në duar drafi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës. As për së afërmi nuk i ngjante një dokumenti serioz që do të duhej të ishte rezultat i një pune serioze…E kam kuptu se me hartimin e Strategjisë është marrë vetëm një person, i cili nën presionit e kohës dhe përvojës së vogël për punë ekipore, e ka kompletu dokumentin duke bërë “Copy paste””, tha ai.

Berisha thotë se Strategjinë e Sigurisë e përgatiti “një djalë i ri”
Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet Strategjia e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha e kundërshtoi këtë dokument duke thënë se është i dobët de është hartuar nga një person që nuk është ekspert.
“Nuk është strategji, është përmbledhje e katër dokumente të dobëta”, tha Berisha dhe shprehu qëndrimin e AAK-së se nuk do ta votojnë.
Sipas Berishës, këtë strategji e ka përgatitur “një djalë i ri” që “punon qaty në ministri”. Sipas tij, ai dokument “nuk është adekuat”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitin 2022-2027.
Ai theksoi se ky dokument parqet objektivat strategjike të ndërlidhura me interesat jetike shtetërore siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial.
Kurti tha se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit tonë./21Media

Back to top button