Qytetarët ankohen për rrugët e papastruara nga bora

Bora që ka nisur të bie nga mbrëmë e që po vazhdon edhe sot, ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve në shumë rrugë.
Vështirësi në qarkullim qytetarët kanë njoftuar për rrugën Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Mitrovicë, por edhe në rrugë tjera rajonale dhe lokale.
Pamje ka publikuar edhe ish-ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, i cili ka bërë thirrje për kujdes gjatë vozitjes.
“Rrugë të papastruara gjithandej”, ka shkruar ai në Facebook.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar pas orës 11:00 se ekipet po punojnë për t’i bërë rrugët të kalueshme.
“Të gjitha ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht dhe po punojnë pa ndërprerje për të siguruar që rrugët të jenë të kalueshme! Megjithatë, reshjet e dendura të borës që po vazhdojnë pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën në terren”, thuhet në njoftimin në faqen zyrtare të komunës.
Ndërsa, Policia e Kosovës po ashtu ka apeluar pjesëmarrësit në trafik për kujdes.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thuhet në apelin e Policisë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?