Qytetarët ankohen se Komuna e Lipjanit po ua shpronëson pronat ‘për arsye personale’
Qe gati një vit, shumica e bizneseve në zonën ku do të bëhet nënkalimi në Komunën e Lipjanit nuk punojnë dhe tashmë kanë falimentuar. Ato jo vetëm që kanë falimentuar, por komuna ka menduar edhe shpronësimin e tyre.
Sipas pronarëve të këtyre bizneseve, arsyeja e vetme që komuna dëshiron t’i shpronësojë këto prona është për interesa personale, pasi në këtë pjesë do të bëhet pjesa e re e qytetit.
Arsyeja e dhënë nga komuna fillimisht ka qenë se këto objekte pengojnë për parkingun nëntokësor, pas përfundimit të parkingut për gjelbërim, e më pastaj për të ndërtuar banesa sociale.
Pronari i një kafeneje në Lipjan, Xhevdet Sadiku, ka thënë se ky projekt ka ndodhur pa marrëveshjen e pronarëve të këtij objekti. Sipas tij, arsyeja pse komuna ka lënë hapësirë për parking dhe nuk e ka afruar deri tek objekti i kafe-barit, është që ta rrënojë dhe të ndërtojë banesa.
“Projekti që ka filluar parkingu dhe rruga nënkaluese prej komunës që janë duke e bë, u bë me një fazë pa marrëveshjen tonë të pronarëve të këtij objekti.. Këtu kemi të bëjmë me njerëz që janë duke shikuar për interesa personale me e prishë objektin, se është në qendër dhe del në shesh, është në pozitë shumë të mirë….Me bë kinse banesa sociale, se kjo banesë nuk është dhe nuk e shoh të arsyeshme… Ka mundur parkingu të bëhet deri tek objekti jonë, jo me lënë hapësirë të thatë në tokë, por nesër që me u rrëzua kjo e me ndërtua për vete, me i marrë banesat për vete….Ne kemi humb shumë, kemi humb total. Ka ra puna nga 100 për qind, në 98 për qind”, ka thënë Sadiku.
Pronari tjetër i kësaj kafeneje Fitim Krasniqi ka shtuar se qe nga 8 tetori i vitit të kaluar, lokali nuk është funksional. Ai, ka treguar se lokali është shkatërruar komplet, inventarët janë dëmtuar dhe nuk po gjeneron asnjë të ardhur, si dhe ka mbetur pa punëtorë.
Ai thotë se ka mbajtur familjen e tij nga të ardhurat prej punës në këtë lokal.
“Në fillim arsyeja ka qenë ky nënkalim që është bë në atë pjesë, ka thënë nënkalimi do ti bie tek objekti dhe duhet të rrënohet objekti…Si biznes prej 8 tetorit, veç jemi komplet mbyllur, nuk funksionojmë, vij gjatë kohës bëj pastrim, kontrolloj, por si biznes humbjen e kemi shumë të mëdha edhe inventarët janë dëmtuar, është shkatërruar, vjetërsuar, biznesi më nuk gjeneron asnjë të ardhur komplet, punëtorë nuk kanë mbetur, se nuk kanë punë….Familjen e mbaj nga ky biznes, të ardhurat kanë qenë vetëm nga ky biznes, tash komplet është ndalur pa kurrfarë kompensimi”, ka shtuar Krasniqi.
Farmacisti Dëfrim Zejnullahu thotë se përveç barnatores ai ka edhe dy lokale me qira, prej të cilave qiraxhinjtë janë larguar për shkak të mos fitimit. Sipas tij, arsyeja e rrënimit janë të pabaza andaj kërkojnë dëmshpërblim të qirave dhe të punës që kanë humbur për një vit.
“Gati një vit është buzë falimentimit dhe kemi edhe dy lokale me qira, qiraxhinjtë kanë dalë, kryetari i komunës dëshiron t’i rrënojë objektet, kështu që jemi në proces gjyqësor…Diku rreth 90 për qind ka rënie drastike të punës… është edhe bashkëshortja, por kjo ka qenë kryesorja e të ardhurave familjare…Arsyet e rrënimit janë të pabaza. Ne jemi në të drejtën tonë, do të shkojmë deri në fund…dëmshpërblim të qirave, që një vit edhe të punës që kemi humbur shumë”, ka theksuar ai.
Përveç lokaleve, komuna ka vendosur ta rrënojë edhe një banesë ku jeton një qytetare e vetme me nipin e saj, Rahmete Emini.
Emini është shprehur se komuna ka thënë që ta lëshojnë banesën dhe t’i ofrojë 35 mijë euro, por sipas saj me këtë shumë parash nuk mund të blejë as një garazh. Ajo tregon se burri i saj i ndjerë ia ka lënë banesën, andaj thotë se “vetëm të vdekur mund ta nxjerrin nga aty”.
“Komuna po na thotë ta lëshoj këtë vend, me marrë banesën, por unë nuk jam e pajtimit, se mua burri më ka vdekur, vetëm këtë nip e kam, edhe nuk mund t’ua lëshoj si po mendojnë ata. Më kanë thënë 35 mijë euro merri edhe ec ti kah të duash. Si bëhet kështu? Me i marrë, as një garazh nuk mund me marrë me 35 mijë euro…Po nëse më qesin, veç nëse më qesin të vdekur, se unë nuk e lëshoj si po mendojnë këta. Neve komuna nuk na e ka dhënë, e kemi ble me para”, tha ajo.
Zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Hyra Bytyçi, në një përgjigje me shkrim thotë se arsyeja për rrënime janë objektet e vjetërsuara që nuk i rezistojnë kohës. Sipas saj, kryetari Imri Ahmeti i ka propozuar kuvendit komunal që bizneset të lirohen nga taksat e qirasë dhe ato janë liruar për vitin 2024.
“Ndërtesa e Chekin-it (lokal) është shpronësuar dhe komuna ka përfunduar procedurat e shpronësimit sipas ligjit për shpronësim dhe pritet të rrënohet gjatë këtyre ditëve, është dezinformatë e kujtdo tjetër për çfarëdo deklarate për interesa të tyre personale. Prona (toka) te ky objekt është e Komunës ndërsa objektet e vjetra janë mbeturina që nuk i rezistojnë kohës, sepse akoma janë me material kancerogjen dhe objekte të stërvjetëruara. Edhe objekte tjera në afërsi të Chekin-it do të hyjnë në proces të rrënimit dhe ndërtimit të objekteve të reja. Pamja e qytetit në këtë pjesë është e shëmtuar dhe ne jemi të vendosur të ndryshojmë pamjen e qytetit tonë duke hequr objektet e stërvjetëruara. Sa i përket bizneseve, të cilat janë penguar gjate punimeve te nënkalimi, kryetari i ka propozuar kuvendit të lirohen nga taksat e qirasë dhe taksat e shfrytëzimit të hapësirave me qira dhe ky vendim është aprovuar nga asambleja komunale. Bizneset aty janë të liruara për vitin 2024”, ka thënë Bytyçi.
Në përgjigjen e Komunës së Lipjanit, është cekur se këto objekte priten të rrënohen gjatë këtyre ditëve./kp