Qytetarët e Obiliqit pak të interesuar për vaksinim, QKMF me mungesë të materialit mjekësor

Në komunën e Obiliqit që nga fillimi i procesit e deri më tani janë vaksinuar vetëm 5 mijë qytetarë kundër Covid-19, ose rreth 20 përqind. Drejtori Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Haki Jashari shprehet i pakënaqur me numrin e të interesuarve për vaksinim kundër Covid-19.
Ai ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për mos furnizim me material mjekësor në kohën kur po paralajmërohet një valë e re e Covid-19.
”Vaksinimi në fillim nuk ka qenë aq sa i dëshirueshëm, javën e fundit kemi një rritje, një interesim më të madh, mirëpo prapë se prapë nuk është në nivelin e duhur ose në nivelin për të cilin ne kishim dëshiruar… Diku afër 5 mijë qytetarë deri tash janë vaksinuar. Sa i përket çështjeve të tjera, ka rreth 4 muaj sa i përket furnizimit nga ana e depos qendrore të Ministrisë nuk është në nivelin e duhur. Sepse ne kemi pasur përkrahje, mirëpo nuk i plotëson nevojat. Duhet theksuar edhe një fakt tjetër meqenëse kemi kaluar dhe jemi në situatë të pandemisë dhe shpenzimet kanë qenë enorme sa i përket shërbimeve janë rritur dukshëm kërkesat dhe harxhimet e materialit mjekësor. Mirëpo jemi në një situatë të pa lakmueshme meqenëse pritet edhe një valë e re”, tha ai.
Vaksinimi sa i përket procedurës dhe protokollit është duke shkuar në rregull sipas Jasharit, ku kanë të angazhuar diku rreth 6 mjekë me personel tjetër mbështetës.
Drejtori Jashari në një intervistë ka folur edhe për rritjen e numrit të qytetarëve që kërkojnë shërbime mjekësore në këtë qendër.
”Po, është evidente sidomos në këto ditë vape të madhe dhe sidomos ardhja e tyre vërehet tek në mbrëmje në shërbimin emergjent, në mjekësinë familjare, si do mos në mbrëmje që është një numër i madh i pacientëve. Kështu që apelojmë të mos dalin në vapë, si do mos moshat e shtyra, personat që vijnë nga sëmundjet kardiovaskulare, dhe të qëndrojnë në shtëpi nga ora 10:00 deri në orën 17:00 pasdite. Mirëpo është rritje e numrit të tyre”, tha ai.
Sikur shumë QKMF të tjera, edhe kjo qendër është e furnizuar me insulinë pas një mungese të theksuar për një kohë të gjatë./KP
 

Back to top button