Qytetarët e Prishtinës “minjë eksperimental të një eksperimenti të çmendur”

Sot ka filluar testimi i tretë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të Prishtinës, në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Mëngjesin e së premtes testimi ka shkaktuar tollovi të shumta në qytet, duke u krijuar kolona veturash.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar lidhur me këtë duke thënë se qytetarët e Prishtinës janë bërë “minjë eksperimental të një eksperimenti të çmendur|
“Deri më tani ky eksperiment ishte provuar vetëm të shtunave dhe të dielave, ditëve kur trafiku edhe ashtu shkarkohej shumë duke shkaktuar vështirësi por jo, as përsëafërmi në masë sikur ndodhi sot në Prishtinë. Të bësh eksperiment në ditën më të ngarkuar të javës (dita e premte) nuk mund të interpretohet ndryshje përveç se një veprim jashtë çdo logjike apo kontribut për shkaktim të qëllimshëm të kaosit në trafik. Prishtina, edhe ashtu këto rrugë që alkimistët e injorancës po i bllokojnë thuaja tërësisht, i ka dy arteriet kryesore që e bartin peshën e trafikut në qytet prandaj është papërgjegjësi e madhe t’i nënshtroni qytetarët një stresi të tillë duke ua kufizuar maksimalisht lirinë e lëvizjes dhe duke shkaktuar çrregullime në të gjitha segmentet e jetës”, thuhet në reagimin e KMLDNj-së.
Sipas tyre, Komuna nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe ky eksperiment duhet të ndërpritet.
“Përveç kaosit ngulfatës, komuna e Prishtinës nuk ka ofruar asnjë zgjidhje andaj, ose duhet të ndërpresë këto eksperimente jonormale, ose duhet të kërkohet përgjegjësi për projektuesit dhe zbatuesit e këtij kaosi në trafik. Ky eksperiment i vë në situatë të rëndë edhe banorët të cilët, për shkak të kufizumeve që prodhon ky eksperiment, nuk mund të lëvizin me automjetet e tyre, as për të shkuar në punë e as për përmbushje të nevojave tjera”, thuhet tutje në reagimin e KMDLNj-së./21Media

Back to top button