Qytetarët e Prishtinës ndihen të rrezikuar nga lisat e vjetër
Qytetarët e Komunës së Prishtinës po ndihen të rrezikuar nga lisat e vjetër në kryeqytet.
Kjo pasi në orët e hershme të mëngjesit nga erërat e forta është rrëzuar një lis tek parku i qytetit, duke e bllokuar njëkohësisht edhe qarkullimin e qytetarëve dhe veturave.
Qytetarët kërkojnë nga komuna që urgjentisht të merren me këtë çështje, pasi sipas tyre rrezik tjetër mbeten edhe telat e rrymës.
Veli Kajtazi, banor nga Prishtina thotë se organet kompetente duhet të dalin në terren për të vlerësuar nëse duhet zëvendësuar këta lisa me të rinj, pasi sipas tij lisat janë shumë të vjetër dhe në këtë formë rrezikohen edhe qytetarët.
“Mendoj se organet e mirëmbajtjes së tyre duhet me qenë më të vëmendshëm që herë pas here t’i vizitojnë se lisat kanë bërë një moshë, ose duhet zëvendësuar ose duhet t’i mirëmbajnë në kohën kur duhet krasitur… Po ashtu, komuna i ka ekipet e veta të cilat duhet të dalin në terren”, tha Kajtazi.
Edhe qytetari, Fatmir Bytyqi konsideron se komuna duhet të kujdeset më shumë për këta lisa.
“Kjo është prej natyrës, bora e butë e ngarkuar, mirëpo me hy tash në park brenda kemi aq shumë lisa të thatë që hiç pa rënë borë ata rrezikojnë qytetarët dhe është shumë rrezik në këtë park, askush nuk përkujdeset për këta lisa… Komuna duhet të kujdeset më shumë, me qenë dikush që merret me parkun, sepse qytetarëve mund të ju bie lisi në kokë dhe pasi të ndodhin këto ne e vajtojmë”, tha Bytyqi.
Ndërkaq, qytetari Jakup Bellaqa thotë se kjo çështje ka të bëjë edhe me rrymën, dhe sipas tij është mjaftë rrezik të kalohet në këtë vend.
“Është rrezik kjo, sigurisht se duhet sa më shpejtë të rregullohet kjo…Ndihemi të rrezikuar, sepse rryma nuk të falë”, tha Bellaqa.
Për këtë ka reaguar edhe kryetari i kësaj komune, Përparim Rama.
Rama në një postim në Facebook ka thënë se ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe në koordinim të ngushtë me NPL „Hortikultura” sh.a – Prishtinë, Njësitin e zjarrfikësve të Kryeqytetit dhe Policinë e Kosovës.
Rama ka kërkuar nga qytetarët që te mos frekuentojnë këto rrugë dhe posaçërisht parqet e qytetit për shkak të rrezikut nga drunjtë e rrëzuar deri në njoftimin e radhës.
Si rrjedhojë e kësaj, njëra pjesë e rrugës “Hamëz Jashari” në kryeqytet po qëndron e mbyllur deri në sanimin e dëmit.