“Qytetarët kanë humbur besimin në institucionet e Kosovës”

Rastet e përleshjeve me armë zjarri, të cilat përfundojnë me vrasje e plagosje, nuk po përballen me politika ndëshkuese adekuate, thonë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Hulumtuesi Gëzim Shala, thotë se dënimet e tilla nuk arrijnë të përçojnë mesazhin e frikës së ligjit për qytetarët e Kosovës.

Një shqetësim tjetër që ngreh ai  është edhe posedimin e armëve pa leje.

“…duhet me theksu që është problematike se në rastin konkret personat në fjalë kanë pasur precedim penal edhe në të kaluarën. Problematike do të thotë se në përgjithësi po është aspekti i politikës ndëshkimore dhe i mënyrës së trajtimit të rasteve sepse dënimet nuk po janë adekuate e problematika po është se një burim i konfliktit nuk po shuhet nga ana e një dënimi penal për shkak se dënimi nuk po është adekuat dhe nuk po arrihet qëllimi i dënimit. Në të kundërtën nëse nuk ndodhë kjo nëse shqiptohet një dënim i butë atëherë dënimi më tepër shërben si motivim që personat të përfshihen në vepra penale sesa si parandalim…”, tha Shala për rtv21

Profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, deklaron se kodi penal parasheh dënime adekuate, mirëpo, institucionet e sigurisë duhet të jenë më efikase në parandalimin e këtyre rasteve.

“…këto janë organe të cilat merren me luftimin e kriminalitetit. Kështu që edhe këto duhet të jenë më azhure me sigurinë por të punojnë edhe me preventivën kur kanë ndonjë indikacion kur është ndonjë mosmarrëveshje e të ndihmojnë në ndërmjetësim…”, tha Salihu

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi konsideron se qytetarët e Kosovës kanë humbur besimin në institucionet e vendit.

“…me këtë rast ne duhet të marrim veprime koherente, Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me PK, të cilat kanë për detyrë organizimin e planeve operative. Si dhe prokuroria dhe gjykatat të vendosin dënime të merituara sepse qytetarët kanë hyumbur besimin tek këto institucionet e drejtësisë së Kosovës. Të gjitha rastet që degradojnë në sigurinë publike dhe atë në përgjithësi duhet faturuar organeve të ndjekjes sepse të njejtit janë përgjegjës për parandalimin e cënimit të sigurisë publike. Këto fakte janë njëkohësisht të pamohushme dhe na sfidojnë për të konstatuar se Kosova është në një situatë të mirë sa i përket sigurisë publike. Realisht vendi ynë po rrëshqet drejt organizimit të jetës mafioze…”, tha Elezi.

Në një konferencë për media një ditë më parë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se institucionet përkatëse duhet të mbajnë përgjegjësinë për rastet që cenojnë sigurinë publike./RTV21/21Media

 

Back to top button