Ra në krye të detyrës, qeveria i akordoi 5 mln lekë ndihmë financiare familjes së nënkomisarit Hoxha

Qeveria shqiptare ka miratuar në mbledhjen e kësaj të mërkure një ndihmë prej 5 milion lekësh për familjen e nënkomisarit Saimir Hoxha, i vrarë dje në krye të detyrës, në Lezhë.
Fondi do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Dëshmori i Atdheut Saimir Hoxha është përcjellur sot në banesën e fundit me të gjitha nderimet shtetërore, shkruan oranews
Ai ishte i martuar dhe ka lënë pas dy fëmijë të mitur.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR DHËNIE NDIHME FINANCIARE FAMILJES SË NËNKOMISARIT SAIMIR BILAL HOXHA, ISH-PUNONJËS POLICIE, I VRARË NË KRYE TË DETYRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e ndihmës financiare, prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, familjes së Nënkomisarit Saimir Bilal Hoxha, ish-punonjës policie në Komisariatin e Policisë Lezhë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, i vrarë në krye të detyrës.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Back to top button