Radoniqi ftoi qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të votuar

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ishte i pari që votoi në qendrën e votimit në shkollën fillore “ Lidhja e Prizrenit” në qytetin e Pejës. Pasi shfrytëzoi të drejtën e tij për të votuar, Radoniqi bëri thirrje që të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të votuar.
Radoniqi iu bëri thirrje edhe subjekteve politike garuese por edhe Këshillave të vendvotimeve të kontribuojnë në mbarëvajtje të procesit zgjedhor.
“E shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar meqenëse është fillimi I ditës qendra e votimit është hapur në orën 07:00 dhe deri në orën 19:00 do jenë të hapura unë ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë këtë të drejt kushtetuese gjithashtu bëjë thirrje që edhe partitë politike por edhe këshillat e vendvotimeve të kontribuojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha ai.
Po ashtu, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi u shpreh optimist se sonte vonë, apo edhe nesër në mëngjes do mund të dihen rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale.
“Nuk pash diçka parregullsi përveç asaj lapsi që mu kthye…unë besoj që po jemi të përgatitur që të japim rezultatet preliminare deri në orët e vona, pra nëse mbesim diçka në mëngjesin e ditës së nesërme sigurisht do t’i japim rezultatet preliminare, por stafi do punoj 24 orë edhe gjatë natës dhe ndoshta gjatë natës mund t’i shikoni përmes internetit ndryshimet e rezultateve”, u shpreh kryesuesi i KQZ-së.
Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021 përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që janë mbajtur më 14 shkurt 2021. Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues, të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Back to top button