Radoniqi: Qasja jonë në veri është e limituar, në këto kushte s’mund të fillojmë sipas planit

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha nuk është e mundur të fillohet sipas planit me organizimin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, pas rrethanave të krijuara atije,
Ai shtoi se është e padrejtë t’u rrezikohet jeta zyrtarëve të KQZ-së dhe se është parë që qasja në veri është e limituar.

“Qysh po e shoh unë, në këto kushte nuk mundemi me fillu, sipas planit tonë siç e kishim paraparë. Është e padrejtë me i dërgu zyrtarët tanë në një vend ku ka pasiguri. Në anën tjetër, nuk pajtohem se Policia nuk ka reaguar. Gjitha veprimet kanë qenë të bashkërenduara me Policinë. Është evidente në raport dhe media, është problematike qasja në zyrat tona. Janë të rëndësishme ato, depot, vendvotimet e ne nuk kemi qasje. Me dashur me shku, qysh tha z. Kurteshi me tërë aparatin policor të armatosur deri në dhëmbë, atëherë çfarë zgjedhje po duam të përgatisim e organizojmë”, tha Radoniqi.

Më tej Radoniqi tha se po pret një raport të sigurisë nga Policia e Kosovës dhe atëherë do të kontaktohet presidentja e vendit Vjosa Osmani.

“Nuk mund të rrezikoj askënd. Çfarëdo lloj dëmtimi me marrë është përgjegjësi e jona. Mbetet në ditët në vijim me komuniku me Polici, ta kemi raportin, e më pas e dërgojmë te presidentja. Për punën tonë jemi të gatshëm me i përfundu detyrat nëse e kemi këtë mundësi. Nesër është tërheqja e shortit, pastaj printimi i fletëvotimeve, sa mund të arrijmë aty se di nuk mund të them asgjë. Atë që kemi parë sot, është e qartë se qasja e jonë në veri është e limituar”, u shpreh Radoniqi.

Mbledhja e KQZ-së, PDK e LDK kërkojnë koordinim ndër-institucional për sigurinë e procesit zgjedhor

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga PDK dhe LDK kanë kërkuar koordinim ndër-institucional për garantimin dhe sigurinë e procesit zgjedhor në veri, pas zhvillimeve të sotme, ku u sulmuan zyrtarët e KQZ-së dhe pati shpërthime me bomba atje.

Në anën tjetër, në mbledhjen e jashtëzakonshme të martën, dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan KQZ që t’iu dërgohet letër Bashkimit Evropian dhe KFOR-it që t’i kërkojnë Serbisë që mos të ndërhyjë përmes grupeve kriminale.

Anëtari i KQZ-së nga PDK, Ilir Gashi, tha se situata në veri është shqetësuese, pasi sot ka pasur rrezikim të jetës së zyrtarëve të KQZ-së. Ai kërkoi që të ketë konsultime me institucionet tjera se si të vazhdohet tutje.

“Raportet tregojnë se situata atje është shqetësuese. Ne duhet të jemi të vëmendshëm karshi zhvillimeve atje. Sot ne kemi pasur rrezikim të jetës së zyrtarëve komunalë atje. Fatkeqësisht, siguria fizike e tyre është bërë nga policia, por ata dhe ministria kanë dështuar për të krijuar kushtet dhe t’iu mundësohet përgatitja për zgjedhje… Duhet të konsultohen të gjitha institucionet për të marrë garanci të plota se ky proces do të garantohet atje, pasi përgjegjësia është e tyre”, tha ai.

Kritik u shfaq anëtari i KQZ-së, nga LDK, Sami Hamiti, i cili tha se institucionet e sigurisë kanë neglizhuar procesin e organizimit të zgjedhjeve në veri.

“Si do të sigurojë atë proces, prej fillimi ka qenë neglizhim i plotë. Ju e dini sa herë kam insistuar që të bëhen komunikimet me institucionet për sigurinë, sepse jemi vonë”, tha ai.

Në anën tjetër, Sami Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se policia dhe institucionet të tjera duhet të sigurojnë dhe garantojnë mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

“Situata e krijuar po dëshmon atë që kam deklaruar se Lista Serbe me qëllimet e veta ka dëshmuar se është e interesuar të tregojë se pushtetin faktit e ka ajo, pa marrë parasysh ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës… KQZ e ka obligim përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve atje. KQZ duhet të kërkojë nga Policia e Kosovës që të garantohet lëvizja e lirë, jetën e sigurt dhe mbajtjen e zgjedhjeve”, tha ai.

KQZ njofton se çka ndodhi gjatë ditës në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dha detaje rreth incidenteve që ndodhën sot në veri të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme KQZ njoftoi se në tre komunat, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok zyrtarët komunal të KQZ-së kishin dal në punë për t’i nisur përgatitjet për zgjedhjet e 18 dhjetorit. Sipas KQZ se vendosja e zyrtarëve në këto zyra ishte bërë me polici por u pamundësua puna për shkak të situatës së krijuar.

“Ndërkohë, rreth orës 14:15 minuta, po ashtu nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, zyrtari ynë ka shkuar për t’u qasur në zyrën e KQZ-së në Mitrovicë të Veriut, e cila ndodhet jo larg nga ndërtesa e administratës komunale e kësaj komune. Sipas njoftimit që kemi pranuar nga zyrtari ynë, është se, me të arritur te kjo zyre është parë se dritaret e saj ishin të thyera. Fillimisht, zyrtarët e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të Ministrisë së Brendshme kanë tentuar që ta hapin derën e zyrës, por kanë hasur në vështirësi, për shkak se nuk ishte e mundur të hapej dera prej metali. Në atë kohë, sipas njoftimit që kemi pranuar, zyrtari unë tregon se në afërsi janë dëgjuar shpërthime të njëpasnjëshme dhe të shtëna me armë zjarri. Pas kësaj situate të tensionuar, zyrtari ynë dhe të MPB-së e MAPL-së janë tërhequr. Pas tërheqjes së zyrtarëve, sipas raportimeve të më pastajme, zyra e KQZ-së në Mitrovicën e Veriut është demoluar”, u tha në mbledhjen KQZ- së.

Më tej Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se zyrtarët komunalë zgjedhor janë tërhequr nga zyra në Zubin Potok nën sigurinë e Njësisë Speciale.

“Rreth mesditës, sipas informatave që kemi pranuar, zyrtarët e KQZ-së, në koordinim me Policinë e Kosovës, kanë filluar që së pari që të funksionalizojnë zyrën në komunën e Zubin Potokut. Në hyrje të objektit të komunës, një zyrtare e komunës së Zubin Potokut, ka marrë dokumentet identifikuese të zyrtarëve të KQZ-së dhe pas identifikimit të njëjtit pastaj janë drejtuar për në zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, që ndodhet në ndërtesën ku funksionon administrata komunale e kësaj komune. Pasi zyrtari ynë ka hyrë në zyre, nën sigurinë e Policisë së Kosovës, është vërejtur se disa nga punonjësit tjerë të administratës komunale janë duke u larguar me shpejtësi. Pasi këta punonjës janë larguar nga ndërtesa, duke shkaktuar një situatë paniku, është hedhur një mjet që mendohet se ishte shokë-bombë. Në ato momente, është dëgjuar alarmi i qytetit dhe zyrtari ynë është siguruar nga Policia e Kosovës, dhe pas ardhjes së Njësisë Speciale janë tërhequr. Gjatë daljes nga objekti i komunës ishin mbledhur turma të njerëzve”.

Ndërkohë, edhe për dy komunat tjera, sipas informacioneve që kemi pranuar nga terreni, edhe në dy komunat tjera, Leposaviq dhe Zveçan janë dëgjuar alarmet e qyteteve dhe ka pasur grumbullim të personave.

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button