Ragmi Mustafa: Gjykata e Serbisë në vijë me Vulinin, promovon përçarje e urrejtje kundër shqiptarëve
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Supreme të Serbisë për të mos dënuar Aleksandar Vulin, ish-ministrin e Mbrojtjes, aktualisht zëvendëskryeministër i Serbisë, për deklaratat e tij të cilësuara si diskriminuese dhe denigruese ndaj shqiptarëve.
Fjala është për termin ‘Shiptar” që Vulin ka përdorur.
Sipas Mustafës, ky term nuk është thjesht një fjalë. “Është përpjekje për të ulur dinjitetin e shqiptarëve, për t’i përjashtuar, për t’i kriminalizuar dhe për t’i çuar në një ndarje të thellë etnike”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Sipas tij, padia e ngritur që më 25 gusht 2019, për diskriminim, kriminalizim, nxitje dhune dhe gjuhë denigruese, tani përfundimisht merr një tjetër dimension.
“Dhe mos të mendojmë që kemi të bëjmë vetëm me një figurë të fuqishme politike – kjo është një provë e madhe për një drejtësi që refuzon të mbrojë të drejtat themelore të njeriut”.