Qeveria: Po mbrojmë ligjshmërinë e Odës së Avokatëve të Kosovës

Ministria e Drejtësisë në proces të rishikimit të drejtësisë penale

Me qëllim të mbrojtjes së ligjshmërisë së punës së Odës së Avokatëve, Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 19.04.2017 ka marrë vendim nr. 05/142,  me të cilin ndalohet përkohësisht zbatimi i Rregullores për caktimin e avokateve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas deri në vendimin përfundimtarë të gjykatës. Vendimi është i përkohshëm dhe si i tillë nuk paragjykon përfundimin e procesit në lidhje me këtë çështje.

Nëpërmjet një komunikate për medie, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se vendimi është i bazuar në nenin 44 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-193 për avokatinë, i cili përcakton: ”Qeveria e Kosovës mbikëqyr ligjshmërinë e akteve të përgjithshme të Odës së Avokatëve dhe ka të drejtë që gjer në vendimin e gjykatës kompetente, të ndaloj ekzekutimin e aktit i cili është në kundërshtim me ligjin. Kjo mbikëqyrje kufizohet në përfilljen e ligjit dhe të së drejtës, duke mos e cenuar autonominë administrative të Odës së Avokatëve.”

Rregullorja e pezulluar nga Qeveria është miratuar me datë 30.06.2016 nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Odës se Avokatëve të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Policisë së Kosovës ,për themelimin e mekanizmit koordinues për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjen penale të lidhur me datë,26 Prill 2016.

Sipas komunikatës, kjo rregullore është kontestuar nga një grup i avokatëve, të cilët vlerësimin e ligjshmërisë së kësaj rregullore e kanë dërguar në gjykatën kompetente, të cilët po ashtu kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të inicioj procedurën për pezullimin e zbatimit të kësaj rregullore deri në vendosjen nga ana e gjykatës lidhur me këtë rast.

Në dispozitat e Ligjit për Avokatinë nuk parasheh nxjerrjen e një akti të tillë nga ana e Odës së Avokatëve të Kosovës, për më tepër se kaq, kjo rregullore është derivat i një marrëveshje bashkëpunimi, ku në dispozitat e saj parasheh kufizime të caktuara për avokatë, e të cilat kufizime janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për avokatinë, dhe veçmas në kundërshtim me nenin 54 paragrafi1 të Kodit të Procedurës penale, i cili përcakton:

“Për mbrojtës mund të angazhohet vetëm avokati i cili është anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës, për të cilin mund ta zëvendësojë praktikanti i avokatisë. Kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me së paku pesë vjet burgim, praktikanti i avokatisë mund ta zëvendësojë avokatin vetëm nëse e ka kaluar provimin e judikaturës. Pranë Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme të Kosovës, të pandehurit mund ta përfaqësojnë vetëm avokati i cili është anëtar i Odës së Avokatëve së Kosovës”

“Ministria e Drejtësisë është konsultuar me përfaqësues të Odës së Avokatëve  me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për këtë çështjeje. Për më tepër, Ministria e Drejtësisë është në proces të rishikimit të drejtësisë penale, (Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale) dhe me këtë rast shprehet e përkushtuar për diskutimin dhe shqyrtimin e çfarëdo çështje e duke përfshirë edhe çështjet e përcaktuara në rregulloren e cekur më lartë, dhe fton palët e përfshira në këtë kontest t’i paraqesin propozimet e tyre”, shkruhet në komunikatë./21Media

Back to top button